Kthehu lart

Rruga e re drejt Sirisë - Katër kosovarë i bashkohen ISIS-it, njëri prej tyre ishte në arrest shtëpiak

Rruga e re drejt Sirisë - Katër kosovarë i bashkohen ISIS-it, njëri prej tyre ishte në arrest shtëpiak Foto: Ilustrim Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

Mesditën e 6 shtatorit, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, brenda Pallatit të Rinisë ishte duke lëvduar punën e Policisë së Kosovës, në 17-vjetorin e themelimit të saj. Një muaj më herët, gjatë gjithë gushtit, në vazhdën e disa vizitave nëpër disa rajone të Kosovës, i njëjti krenohej me po të njëjtën polici, që, sipas tij, me punën e tyre parandaluan bashkimin e qytetarëve kosovarë në luftërat e huaja. Ai mburrej, sesi falë angazhimit të tyre, në 11 muajt e fundit asnjë i ri nga Kosova nuk kishte marrë rrugën për në ISIS. Por realiteti jashtë sallave ku Hyseni mbante fjalimet e tij, ishte krejtësisht ndryshe. Katër kosovarë, nga zona të ndryshme, gjatë asaj periudhe, po bënin përgatitjet e fundit për të marrë rrugën për në xhihad. Udhëtimin po e planifikonin përmes një rruge të re, alternative, që kalonte përmes Malit të Zi. Njeri prej tyre ishte arratisur nga duart e Policisë. Kjo e vë në dyshim suksesin për të cilin fliste vazhdimisht ministri Hyseni.

Katër kosovarë dyshohet se së fundi kanë shkuar në ISIS. Amir Vuniqi, Egzon Iseni, Rron Emini dhe Irfan Haqifi, në fillim të shtatorit, dyshohet se u larguan nga Kosova, për të përfunduar rrugëtimin e tyre në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Të katër këta kosovarë kanë qenë nën llupën e autoriteteve në Kosovë për lidhjet e tyre dhe praktikimin e rrymave ekstreme të islamit. Madje, Irfan Haqifi është arratisur nga drejtësia kosovare, e cila i akuzon ata për veprime që lidhen me terrorizmin. 

Këta të rinj nga rajone të ndryshme të Kosovës mendohet se kanë gjetur një rrugë të re për të shkuar në Siri. Për dallim nga shumica e shtetasve kosovarë tjerë që i janë bashkuar ISIS-it përmes Maqedonisë duke kaluar ilegalisht në Greqi e më pas në Turqi, rrugëtimi i këtyre të fundit ka qenë më i gjatë. Ata, Lindjes dyshohet t’ia kenë mësyrë përmes Malit të Zi, për të kaluar po ashtu ilegalisht në shtete të tjera të Ballkanit e më pas Europës Lindore dhe Turqi.   

Ky grup dyshohet të jetë organizuar nga prishtinasi Amir Vuniqi, që ishte prijës i tyre. 

Për shkuarjen e katër personave nga Kosova në Siri janë në dijeni edhe autoritetet kosovare. Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se ata kanë informacion për këtë grup që ka marrë rrugën për t’iu bashkuar luftërave fetare në Siri e Irak. 

“Policia është duke trajtuar informacionin se katër shtetas kosovarë nga vendet e treta (shtetet fqinje) kanë udhëtuar për në Turqi. Bazuar në informata dyshohet se personat kanë si qëllim shkuarjen në zonën e konfliktit në Siri”, i është përgjigjur zyra për informim e PK-së, interesimit të gazetës. 

“Autoritetet përkatëse janë informuar për personat dhe qëllimin e tyre, megjithatë ende nuk është arritur të konfirmohet se personat gjenden në Turqi apo kanë arritur të depërtojnë në zonën e konfliktit”, thuhet më tutje në përgjigjen e Policisë. 

Por, Policia nuk e ka komentuar bashkimin në ISIS, në po këtë grup, të Haqifit që në rrethana tjera do duhej të ishin duke u përballur me drejtësinë në Kosovë. Ndonëse, Gazeta Express ka kërkuar sqarim se si kanë kaluar kufirin Irfan Haqifi, derisa figuron si person i arratisur nga Policia, ata s’janë marrë me këtë pyetje. 

Ai madje, para arratisjes, kishte pranuar para trupit gjykues veprën penale që lidhej me terrorizëm. 

Shkuarja e këtyre personave në Siri ka prishur krenarinë e ministrit të Brendshëm Skender Hyseni, që vazhdimisht në paraqitjet e tij kishte lartësuar punën e tij dhe të organeve të sigurisë në vend. Ai çdoherë mburrej se ka luftuar ekstremizmin në vend dhe ka parandaluar kosovarët t’i bashkohen grupit terrorist ISIS. Sipas tij, deri në shtator, kosovari i fundit që kishte shkuar në zonat e konfliktit në lindje, kishte qenë 11 muaj më parë. 

Gazeta Express ka kontaktuar me e-mail edhe Ministrinë e Brendshme dhe zyrën e ministrit Hyseni, nga e cila ka marrë një përgjigje të shkurtër: “Për këto pyetje ju lutem t'i drejtoheni Policisë së Kosovës”.

Sipas të dhënat të fundit të departamentit kundër-terrorizëm në Policinë e Kosovës tregonin se numri i kosovarëve në Siri është afërisht rreth 140 persona. 70 deri 75 prej tyre meshkuj, 38 femra dhe 27 fëmijë. Gati, po aq meshkuj sa dyshohet se janë sot në ISIS, aq është edhe numri i të vrarëve atje në katër vitet e fundit. 

Ndryshe, Irfan Haqifi nuk është rasti i parë që nga "arresti shtëpiak" përfundon në xhihad. Në shtator të 2015-s, Gazeta Express kishte raportuar se prishtinasi Bekim Mulolli, i arratisur nga drejtësia që e ngarkonte po me vepra që ndërlidhen me terrorizëm, ishte vrarë në Siri. Madje, atë kohë, autoritetet kosovare tek nga gazeta ishin informuar për arratisjen dhe vrasjen e tij të cilën për Express e kishin konfirmuar familjarë të afërt të Mulollit.

Njësoj kishte ndodhur edhe me 29-vjeçarin nga Istogu, Betim Ibrahimaj, i akuzuar në grupin e njohur si "Badovci". Ai kishte ikur nga arresti shtëpiak dhe dyshohet se ka përfunduar në Siri. / M.Gj. /GazetaExpress/.

    Data: 19 Tetor 2016 11:35
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera