Rritja e pagave: Kryeministrit do t'i dalin përnjëherë në llogari mbi 10 mijë euro

Pushimet verore për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar mund të jenë edhe më luksoze, ngase më 1 korrik pritet t’i marrin pagat me rritje retroaktive.

GazetaExpress

Për 7 muaj që nga dhjetori i 2017-s, kryeministri Haradinaj do të marrë 10 mijë e 549 euro.

Në total, për një vit, paga e Haradinajt do t’i kushtojë buxhetit 35 mijë e 400 euro, raporton KTV.

Pesë zëvendëskryeministrat do t’i marrin pagat me rritje në total prej 52.745 euro, pasi atyre u është rritur paga në 2500 euro.

Hiq më keq nuk do të jetë kuleta e ministrave. 2,000 euro në muaj do ta marrin pagën me rritje.

Ndërkaq, ministrat që mbajnë edhe pozitën e zv.kryeministrit do ta marrin vetëm pagën për këtë pozitë.

Paga vjetore e ministrave të Qeverisë Haradinaj do të jetë rreth 480 mijë euro.

Falë vendimit të rritjes së pagave, edhe këshilltarët, shoferët dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë do ta marrin pagën me rritje.

Kryeministri Haradinaj ishte ankuar në Kuvend për pagën e tij të vogël.

Ministria e Financave vazhdon të kundërshtojë vendimin e Qeverisë për pagat.

Të pyetur nga KTV, ata nuk kanë dashur të tregojnë për koston financiare të vendimit për rritje të pagave, ndonëse kanë obligim që ta kenë këtë shifër.

Kanë thënë se ministri Bedri Hamza e ka dhënë mendimin e tij kundërshtues për rritje të pagave në mbledhjen e qeverisë.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka thënë se implikimi buxhetor për këtë vendim është mbi 8 milionë euro, duke përfshirë edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pagën më të lartë për dallim nga homologët e tij nga vendet e rajonit.

Të tjera

Lajmet e fundit