Përmes këtij ligji thuhet se mund të deshifrohet struktura organizatave e Agjencisë së Inteligjencës, raporton T7
Pak gjëra ka që nuk janë sekrete në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Madje sekret konsiderohet edhe tërë struktura organizative e kësaj Agjencie të Sigurisë.
Krejt çka dihet publikisht për AKI-n, janë emrat e Drejtorit, zëvendës drejtorit e Inspektorit të Përgjithshëm.
Për krerët e agjencisë, dihet edhe sa është paga që e marrin nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, e tërë struktura tjetër dhe pagat e tyre konsiderohen sekrete.
Por, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konsideron se Ligji për Pagat i hartuar nga qeveria, ua rrezikon këto sekrete, andaj i kanë kërkuar që ata të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij ligji.
E kësaj kërkese mbështetje i ka dhënë edhe komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.
“Kërkohet nga agjencia që të kihet kujdes edhe në trajtimin e agjencisë në këtë rast të pozitave menaxheriale dhe të pozitave të tjera të AKI-së në Projektligjin për Pagat. Në të gjitha vendet pagat e punonjësve të agjencive të tilla trajtohen me ligje të veçanta, nuk është mirë që të deshifrohen pozitat e tyre dhe punët që ata bëjnë”, ka thënë Ganimete Musliu – zv kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.
Sipas Musliut, pagat e zyrtarëve të inteligjencës duhet të rregullohen vetëm me ligjin për AKI.
“Punonjësit e AKI-së duhet ta kenë konfidencialitetin, vetë ligji i AKI-së e përcakton saktë se si duhet të trajtohen këto çështje. Prandaj në bazë të ligjit ne e kemi trajtuar dhe e kemi bërë një propozim që do të ia dërgojmë komisionit i cili është duke e trajtuar Ligjin për Pagat”.
Ndërkohë, zëvendës kryetarja e këtij komisioni shkurtimisht foli edhe për gjendjen e sigurisë në vend.
Sipas saj deri me tani nuk është paraqitur ndonjë kërcënim serioz për destabilzimin e vendit, sidomos veriut të Kosovës.
Ndërkohë, Ganimete Musliu bëri me dije se të premten Komisioni do të ketë vizitë zyrtare në Agjencinë e Inteligjencës.