Kthehu lart

Profil: Kush është kosovari i ISIS’it që po kërcënon shqiptarët dhe Ballkanin

Profil: Kush është kosovari i ISIS’it që po kërcënon shqiptarët dhe Ballkanin GazetaExpress

Ridvan Haqifi është emri i vërtetë i xhihadistit Abu Muqatil (Al Kosovi) i cili të enjten përmes një video mesazhi, bashkë me Abu Bilqis (Al Albani), paralajmëruan Ballkanin për luftë në emër të hakmarrjes “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët” në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, Serbi etj...

Ridvan Haqifi nga korriku i 2014’ës e zëvendësoi Lavdrim Muhaxherin si komandant i shqiptarëve në organizatën terroriste ISIS. Gazeta Express edhe atëherë kishte raportuar për lidhjet e tij familjare me drejtuesit e Bashkësisë Islame dhe për imamin Qazimi që pati ndikim në radikalizmin e tij, rrëfim që ishte bazuar nga drejtues të BIK’ut dhe një profesor i tij.

Ridvan Haqifi, 25 vjeçar nga Gjilani është lindur në fshatin Bukovik, më 4 korrik të vitit 1990, për rastësi në ‘Ditën e Amerikës’, një nga armiqtë e ISIS’it, organizatës terroriste që drejtohet nga Kalifi i vetë-shpallur, Ebu Beker El-Bagdadi (Kalif Ibrahimi).

Haqifi, bashkë me Lavdrim Muhaxherin nga Kaçaniku, ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi, derisa Ridvani më vonë morri të drejtën edhe të ligjëronte në xhaminë që e drejton imam Qazimi, një përkrahës publik i xhihadit të ISIS’it.

Në raportin e Gazetës Express, të korrikut të vitit të kaluar, kur Al Kosovi morri komandat e shqiptarëve thuhet se Ridvan Haqifi kishte punuar herë pas here edhe punë të tjera për të mbajtur familjen, përfshirë këtu edhe punën e hamallit me karrocë dore në tregun e qytetit, pasi që pagesa prej imami të angazhuar vetëm për faljen e xhumasë ishte e vogël. Ndërsa shenjet e radikalizmit të tij, thuhet në raport, kishin nisur që kur ishte nxënës i medresesë, pasi që në klasë diskutonte me idetë ekstreme të Zekirja Qazimit. Këto të dhëna për xhihadistin shqiptarë i kishte rrëfyer atëkohë një nga profesorët e tij, por që preferonte të mbetej anonim.

Rruga për tu bërë imam e më vonë edhe xhihadist, Haqifi, i njohur si Abu Muqatil (Al Kosovi) nisi si nxënës i Medresesë “Alaud-din”, dega në Gjilan, shkollë publike kjo që financohet edhe nga Ministra Kosovare e Arsimit e menaxhohet nga BIK’u, por tu bërë tutje imam imam nën urdhrat e kësaj bashkësie fetare deri në vitin 2012, kur deklaroi rrejshëm që po shkonte për te studiuar në Egjipt.

Siç kishe raportuar Gazeta Express, Ridvan Haqifi, pasardhës i Lavdrim Muhaxherit në komandat e shqiptarëve në ISIS, në vitin 2012, i kishte thënë familjes e BIK’ut se po e lëshonte punën për studime fetare në Egjipt. Atë kohë ishte imam në xhaminë e fshatit Capar, një fshat afër fshatit tij të lindjes-Bukovikut. Por rrugëtimi i tij përfundoj në Siri, përkrahë ISIS dhe bashkëkombësit të tij që tmerroj njerëzimin duke publikuar video të heqjes së kokave të atyre që nuk i bindeshin ideologjisë së ISIS’it, për ti marrë dikur edhe komandimin e shqiptarëve tjerë që ndodhen atje.

Abu Muqatil (Al Kosovi) rishfaqet pas një viti nëpërmjet një videomesazhi, bashkë me Abu Bilqis (Al Albani), dhe duke folur në gjuhën shqipe kërcënojnë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë, etj., për luftë dhe hakmarrje ndaj atyre që siç thonë ata, armiqve të Allahut që po i poshtërojnë myslimanët në këto vende.

“I dërgoj mesazh taghutave (*taghut – ata që i adhurojnë idhujt, por jo Allahun) të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe gjithë Ballkanit: mos mendoni se ne e kemi harruar për zullumin të cilin ju ja bani myslimanëve... Mos mendoni se ne e kemi harruar për armiqësimin që ia keni bërë dinit të Allahut... Mos mendoni se ne e kemi harruar për nënçmimin dhe përuljen që ju ja bëni myslimanëve dhe fesë së Allahut... Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve...”, thuhet ndër tjera në mesazhin e Abu Muqatil, të publikuar të enjten mbrëma. /GazetaExpress

    Data: 05 Qershor 2015 12:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera