Kthehu lart

Zyrtare: ​Jep dorëheqje Bashkim Smakaj

Zyrtare: ​Jep dorëheqje Bashkim Smakaj GazetaExpress

(E plotësuar) Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë konfirmuar për Express se Bashkim Smakaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Deklarata e Presidentes Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri, zotëri Isa Mustafa, sot pranuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, zotëri Bashkim Smakajt.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa vlerësuan punën gjashtë vjeçare të zotëri Smakajt në themelimin dhe ndërtimin e AKI-së dhe falënderuan drejtorin e deritashëm për përkushtimin e tij në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Presidentja i kërkon dorëheqjen Bashkim Smakajt

Presidentja Jahjaga i ka lënë Kreut kosovar të inteligjencës, Bashkim Smakaj veç dy zgjedhje: të japë dorëheqjen ose ta shkarkojë ajo vetë, bëjnë me dije burime të Express, që thonë se kjo do të ndodhë këto ditë. Gazeta merr vesh se si arsye për këtë veprim janë përmendur akuzuat publike kundër Smakajt që nën drejtimin e tij AKI’ja u përfshi në për skandale nga punësimet e ‘dostave’ te tenderët, nga shmangia e kontrollit parlamentar e deri tendenca për të kidnapuar njerëz, nga zyrtarë kontrolli të arrestuar për diploma false e deri te vrasja e agjentëve fushorë në Siri, por, rasti më i rëndë është operacioni i dekonspiruar i kthimit të fëmijës Erion Zena nga Siria.

Jo zyrtarisht është raportuar që tashmë ai ka dhënë dorëheqjen, por as Presidenca e as Smakaj, të kontaktuar nga Express, nuk e kanë konfirmuar lajmin

Presidentja i kërkon dorëheqjen Bashkim Smakajt

Vetëm pak muaj më parë fama e Bashkim Smakajt si drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) kishte arritur majat. Ai morri edhe një mandat të dytë, dhe pak muaj pas këtij ri-emërimi, në tetorin e viti të kaluar ish-Kryeministri Hashim Thaçi e presidentja Atifete Jahajaga vraponin se kush më parë ta lavdëronte në facebook për aksionin për sjelljen e fëmijës Erion Zena që ishte kidnapuar nga babai i tij xhihadist.

Më pak se tre muaj më vonë Bashkim Smakaj, një ish-zyrtar i tenderëve në Policinë e Kosovës ka marrtë teposhtëzen.

Burime të Express bëjnë me dije se atij i është kërkuar dorëheqja nga Presidentja Jahhja, e cila i ka ofruar dy zgjedhje, një të keqe dhe një më të keqe. “Presidentja i ka kërkuar bashkim Smakajt të japë dorëheqje ose do ta shkarkojë atë”, ka thënë për Express një burim brenda Presidencës.

Burimet e Express thonë se shkarkimi, ose edhe dorëheqja eventuale e Smakajt do të ndodh këto ditë.

Raportimi për shkarkim të Smakajt ishte edhe i mëhershëm, por ai deri tash nuk ka komentuar në publik, por as krerët shtetërorë që e emërojnë dhe e shkarkojnë kreun e inteligjencës nuk e kanë mohuar nismën për ta larguar Smakajn nga kreu i AKI’së.

AKI’ja nën drejtimin e Bashkim Smakajt deri tash është akuzuar publikisht për skandale nga punësimet e ‘dostave’ te tenderët, nga shmangia e kontrollit parlamentar e deri tendenca për të kidnapuar njerëz, nga zyrtarë kontrolli të arrestuar për diploma false e deri te vrasja e agjentëve fushorë në Siri.

Burimet e Express si arsye për shkarkimin e Bashkim Smakajt janë të shumta, por mbi të gjitha rëndon vetë operacioni për të cilin Presidentja e ish-Kryeministri u bënë ‘horë’ në facebook- sjellja e fëmijës Erion Zena, një operacion i dekonspiruar i AKI’së. E vërteta tjetër deri tash e argumentuar me letra është që atë fëmijë e solli i vetëm xhihadisti Fitim Lladrovci, i cili tash është në paraburgim i prangosur nën dyshimin e pjesëmarrjes në grupe terroriste në Siri (si anëtar i ISIS’it).

Një nga pikat më të dobëta të operimit në mbi gjysmë-dekade si kreu i inteligjencës kosovare të Bashkim Smakajt është padyshim lufta e hapur me ish-kolegët e tij, policët kosovarë që duhet të marrin një certifikim-leje sigurie për të pasur qasje të informatat konfidenciale.

Ky proces (verifikimi), si në rrallë vende të botës, në Kosovë iu dha Agjencisë Civile të Inteligjencës (këtë rast AKI’së, pasi që FSK’ja nuk është ushtri dhe rrjedhimisht nuk ekziston Agjencia e Inteligjencës Ushtarake), një hap që qoi në një përplasje mes AKI’së e Policisë që ishte edhe e dukshme fortë në publik.

AKI’ja ka mandat verifikimi policët, derisa Policia është institucioni ku AKI’ja duhet të dërgoi raportet e saja për kërcënime të drejtpërdrejta të sigurisë nacionale (Pos që një kopje të raporti e dërgojnë edhe në Presidencë e Kryeministri), pasi që AKI’ja nuk ka kompetenca ekzekutive si arrestimet e intervistimet.

Express merr vesh që një nga arsyet që krerët shtetëror politik po i shtyn që ta shkarkojnë Bashkim Smakajn (ose ta detyrojnë të japë dorëheqjen) është edhe eliminimi i kësaj përplasje me Policinë.

Shumë policë kosovarë që kanë marrë verifikim negativ nga AKI’ja kanë shkruar edhe në rrjetet sociale që këtë ua ka bërë Bashkim Smakaj, derisa një pjesë e mirë e tyre edhe kanë hapur procese kontestimi të vendimeve të AKI’së në Gjyq.

Smakaj u emërua në vitin 2009 për herë të parë si drejtor i AKI-së për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër.

Më 31 janar të viti që shkoi Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi patën riemëruar Bashkim Smakajn në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Bashkim Smakaj është lindur më 1 korrik 1976 në fshatin Këpuz të komunës së Klinës. Ai është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Degën e Biologjisë dhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në drejtimin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike.

    Data: 16 Janar 2015 15:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera