Kthehu lart

Presidenti e nxjerr në pazar territorin e Kosovës

Presidenti e nxjerr në pazar territorin e Kosovës GazetaExpress

Presidenti Hashim Thaçi po vazhdon ta përsërisë se është i gatshëm që në dialogun me Serbinë të angazhohet për këmbim territoresh me Serbinë. Ai edhe sot ka thënë se me rastin e demarkacionit të vijës kufitare me Serbinë mund të shfaqet në tavolinë kërkesa e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës.

Por, Presidenti në asnjë moment nuk po e përmend atë që dihet se me këtë rast pala serbe si kundërpërgjigje do t’i kërkonte komunat në Veriun e Kosovës, përfshirë Liqenin e Gazivodës dhe Trepçën.

“Në kuadër të korrigjimit është e pranueshme kërkesa e institucionalizuar, kërkesa e liderëve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën, nëse ka pajtueshmëri dhe marrëveshje të dyanshme, askush nuk mund dhe nuk do të dalë kundër një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në dialog, as BE-ja, as NATO-ja, as SHBA-ja”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se pret që të intensifikohet dialogu me Serbinë gjatë muajve gusht e shtator, ndërsa ka thënë se s’ka datë për një takim të ri me Vuçiqin.

“Se kur do të ndodhë takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës dhe Serbisë ende nuk është specifikuar ndonjë ditë, por unë shpresoj se nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të kemi një dinamikë më të fuqishme të udhëhequr nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja...”, ka thënë Thaçi.

    Data: 02 Gusht 2018 12:39
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera