Kthehu lart

Policia dhe Drejtoria e Arsimit nisin hetimet pse Sabit Kopalla rrahu një gjimnazist

Policia dhe Drejtoria e Arsimit nisin hetimet pse Sabit Kopalla rrahu një gjimnazist GazetaExpress

Dhuna që ka ushtruar profesori i anglishtes ndaj një nxënësi në Podujevë po tentohej të mbahej e fshehtë për publikun. Në Polici rasti është raportuar krejtësisht ndryshe në krahasim me atë që shihet në një videon e publikuar. Ndaj profesorit kanë nisur hetimet ndërsa Drejtoria e Arsimit ka paralajmëruar masa ndaj tij. Sabit Kopalla ka mohuar përleshjen por ka thënë se i ka ndarë nxënësit që ishin duke u rrahur.

Sabit Kopalla, një profesor i anglishtes, në Gjimnazin “Aleksander Xhuvani” në Podujevë e ka grushtuar një nxënës në oborr të shkollës. Përleshja është xhiruar nga një nxënës tjetër me telefon.


Aty, shihet se si fillimisht nxënësit e ndalojnë profesorin të grushtojë nxënësin. Por, pak sekonda pasi e ndajnë, Sabit Kopalla përsëri i vërsulet fëmijës. E grushton nxënësin në hyrje të oborrit të shkollës.

Ky rast është lajmëruar në Polici e Drejtori të Arsimit. Mirëpo, në institucionet që merren me sigurinë dhe arsimin nuk është treguar e vërteta.

Në polici edhe nëna e viktimës ka dhënë deklaratë se profesori Sabit Kopalla vetëm ka kryer punën e ndërmjetësuesit në një rraje mes nxënësve.

Posa janë publikuar pamjet, Policia ka ndryshuar pistën e hetimeve.

Zëdhënësja e Policisë, Antigona Çitaku, ka thënë se pas shikimit të xhirimeve, në konsultim me Prokurorin kanë nisur hetime ndaj profesorit të dhunshëm.

Zëdhënësja e stacionit policor në Podujevë, Antigona Çitaku i ka thënë Gazetës Express se kështu kanë thënë edhe nënat e tyre kur kanë deklaruar.

Por, deklarojnë se tashmë kanë filluar për hetimet për këtë rast, dhe se ata do të veprojnë edhe në bazë të asaj që shihet në video.

“Dje është raportuar rasti në stacion të Podujevës. Mirëpo është raportu që dy nxënësa janë rrahur mes veti, edhe profesori ka hy edhe i ka nda, qysh e ka qartësu edhe nana e tyre kur ka deklaru. Ne i kemi pa videot që po qarkullojnë dhe në konsultim me prokurorin do të trajtohet rasti , dhe në bazë të atyre që shihet do të shohim çka bahet. Tash ne do të veprojmë në bazë të asaj që shihet edhe në video”, ka thënë Çitaku.

Por, profesori Kopalla po e mohon një gjë të tillë. Ai ka thënë për Express se vetëm ka ndërhyrë për t’i ndarë nxënësit e tjerë derisa përlesheshin.

“Më kanë lajmëruar nxënësit dhe në momentin që ka dashur të ikë unë e kam ndalur për ta dërguar në drejtori”, ka thënë Kopalla, për Express, të shtunën.

Por, në xhirimet Kopalla shihet duke e rrahur nxënësin derisa fëmijët e tjerë e ndajnë.

Madje, profesori pasi e ndajnë njëherë i vërsulet përsëri nxënësit dhe e rrah në hyrje të oborrit të shkollës.

E në Drejtorinë e Arsimit në Podujevë thonë se janë njoftuar nga drejtoria e shkollës menjëherë pasi që ka ndodhur rasti.

Drejtori Agim Blakçori ka thënë se ata do t’i shqyrtojnë të gjitha rrethanat që kanë sjellë deri te ky rast, dhe se do të marrin masa bazuar rregulloreve në fuqi. Madje, thonë se masat do të merren qysh nga fillimi i javës.

“Videon e kemi pa edhe një , dhe dje na kanë informuar edhe Drejtoria e shkollës . Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha rrethanat që kanë ardhë deri te ky rast, dhe do të marrim masa Konform rregulloreve që janë në fuqi. Nuk kemi pas ankesa për rrahje të tjera. Qysh në fillim të javës të ardhshme do ta shqyrtojmë rastin dhe do të marrim masa”, ka thënë Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Podujevës, Agim Blakçori.

Sabit Kopalla, profesor i anglishtes, në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për asamble komunale të Podujevës me LDK’në. Në profilin në FB, fotografitë kryesore i ka me kryetarin e Podujevës, Agim Veliun, që është edhe Nënkryetar i LDK’së.

Rasti i rrahjes se nxënësit nga profesori nuk është i vetmi në Podujevë e Kosovë. Edhe raste tjera janë denoncuar nga prindërit dhe fëmijët, por, kanë munguar masat ndëshkuese ndaj profesorëve të dhunshëm./GazetaExpress

    Data: 06 Tetor 2018 12:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera