Kthehu lart

Për 10 muaj vdiqën 102 persona në aksidente

Për 10 muaj vdiqën 102 persona në aksidente Iliustrim GazetaExpress

Nga janari, deri në tetor të këtij viti, kanë ndodhur 13 mijë e 195 aksidente trafiku në gjithë vendin, e që i bie 1 mijë e 594 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Mirëpo, pavarësisht uljes së numrit të përgjithshëm të aksidenteve, numri i personave të vdekur nga aksidentet ka mbetur pothuajse i njëjtë, raporton KTV.

Sipas statistikave të Policisë gjatë këtij 10-mujori, në aksidente kanë vdekur 102 persona, vetëm një më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Në këto statistika, nuk janë përfshirë edhe katër personat që vdiqën si pasojë e aksidentit të së premtes në rrugën Prishtinë – Gjilan, që e rrisin numrin e përgjithshëm të vdekjeve në komunikacion.

Ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se numri i vdekjeve në komunikacion është shqetësues.

Ata vlerësojnë se një situatë e tillë është si pasojë e dështimit të sistemit shtetëror për të ngritur vetëdijen dhe për të krijuar siguri më të madhe në komunikacion.

Visar Baxhaku, inxhinier i komunikacionit rrugor, thekson se nëse as tash nuk ndërmerren masat e nevojshme, pasojat në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha.
Nga numri total i aksidenteve, lëndime kanë marrë 10 mijë e 483 persona, ndërsa 7 mijë e 863 aksidente kanë përfunduar me dëme materiale.

    Data: 17 Nentor 2018 19:13
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera