Kthehu lart

Pal Lekaj i quan paranoja dëshirat e Hotit për rrëzimin e Qeverisë

Pal Lekaj i quan paranoja dëshirat e Hotit për rrëzimin e Qeverisë GazetaExpress

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i është kundërpërgjigjur Avdullah Hotit të LDK-së, i cili tha se janë duke përgatitur strategji për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Lekaj për Gazetën Blic, ka thënë se Qeveria nuk ka kohë të merret me paranojat e LDK-së e të Hotit.

“Deklarata emocionuese të opozitës, janë bërë për keqardhje. Po vetë lazdrohen me do sondazhe. Kanë kohë mu marrë me këto tema aspak relevante për të shtyrë përpara temat e mëdha për vendin, siç janë liberalizimi i vizave, ushtria, proceset integruese”, ka thënë Lekaj.

Sipas Lekajt, Qeveria Mustafa ka qenë qeveri a paguximshme andej ka ikur, siç thotë ai, për në shtëpi.

“Këta kanë qenë deri dje edhe në qeveri e s’kanë ndërmarrë asgjë për këto dhe shumë tema tjera me rëndësi për vendi e lëre më tani kur e vetmja “punë” e madhe e tyre është, të bëjnë “strategji për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se Qeveria është duke punuar për tema të mëdha dhe se nuk ka kohë të merret me teket e opozitës.

“Ne s’kemi kohë të merremi me dëshirat e paranojat e Avdullah Hotit dhe konform kësaj ju konfirmoj se jemi të angazhuar për të përmbyllur temat e nxehta, nga të cilat ish-Qeveria është frikësuar se do të përvëlohet e që pikërisht se ka qenë qeveri e paguximshme, ka “ikur në shtëpi”, është shprehur ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij po përgatit strategjinë e veprimit për të ndalur keqqeverisjen.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sjellja e Grupit Parlamentar të LDK-së në seanca do të jetë e qartë dhe e vendosur.

    Data: 17 Korrik 2018 15:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera