Kthehu lart

Martesa tragjike në Rahovec: Babai akuzon ish-dhëndrin se ia mbyti bijën në shtrat

Martesa tragjike në Rahovec: Babai akuzon ish-dhëndrin se ia mbyti bijën në shtrat Gentiana Hasani Autori: Gentiana Hasani GazetaExpress

Para 7 vjetëve, Bislim Morinës nga fshati Senovc i Rahovecit, i vdiq vajza, Antigona, tri ditë pasi u martua. Familja e së ndjerës po e akuzon ish-dhëndrin Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), për vrasjen e së bijës. Ata po thonë se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme. Babai i Antigonës thotë se ish-dhëndri ia mbyti vajzën. Ndërkaq, familja e Hilmiut thotë se Bislim Morina, babi i së ndjerës këtë punë po e bën vetëm për para. Gjykata këtë rast po e konsideron rast të mbyllur

Në vitin 2011, Bislim Morina, e martoi vajzën Antigonën me shkues (mësitni). Por, martesa e saj me Hilmi Zenën nga fshati Malësi e Vogël, zgjati vetëm tri ditë. Sipas Prokurorisë, ajo vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës, në shtëpinë e burrit të saj ku kishte qëndruar mes datave 27, 28, 29 korrik të vitit 2011.

E disa vite më vonë familja e vajzës thotë se të bijën ua vrau ish-dhëndri. Babai i Antigonës, Bislimi, ka thënë për Express, se ish-dhëndri ia mbyti të bijën, pasi, sipas tij, edhe pas tri ditësh të hemorragjisë së vazhdueshme, Hilmiu nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, por kishte vazhduar të ketë marrëdhënie seksuale të vazhdueshme me tashmë të ndjerën.

“Antigona është fëmija i dytë në familje, nga tetë fëmijë sa i kam pasë. Unë them që çikën ma kanë vra për dy arsye. Te gjakderdhja një dhe, e dyta, çika me pas gjakderdhje dhe me pru në atë gjendje pa i ra të fikët nuk ishte ba. Ata në atë gjendje e kanë çu te shehu e jo te mjeku. Plus tri ditë e tri net ai ka përdorë seks në trup të saj. Ai (dhëndri Hilmu) e ka pranuar vetë në prokurori se ka bërë marrëdhënie seksuale me qef në ato tri ditë me çikën tem. Çikën tem ata kur e kanë pa në atë gjendje është dashtë që ta çojnë tek mjeku e jo te shehu”, deklaron për Express, babai i tashmë së ndjerës.

Tutje, në familjen e së ndjerës deklarojnë se vajza e tyre ka vdekur nga mos dhënia e ndihmës në kohën e duhur.

“Kjo është dorë vrasje. Edhe ma vrasje është që ai nuk i ka dhanë ndihmë. E ka pa me sy se qysh ka qenë e nuk ka reagua”, thotë babai i Antigonës.


“Vajza nuk ka pasë ndonjë lëndim. Vetëm poshtë nga organet gjenitale vajza ka qenë e nxihne, pleh, si të kish qenë e rrehne. Edhe teshat kur i kemi marrë me i la, ato lëshonin gjak të zi”, thonë nga familja e Antigonës.

Megjithëkëtë, Bislim Morina po kërkon hetim të mëtejmë për këtë punë. Thotë se Hilmi Zena, ish-dhëndri i tij duhet të japë përgjegjësi për veprimet e tij.

Familja e ish-dhëndrit: Babai i së ndjerës këtë punë po e bën vetëm për para

Gazeta Express, të mërkurën, ka biseduar me familjarët e ish-burrit të Antigonës, vajzës së ndjerë. Vëllai i Hilmiut thotë se kjo punë është sqaruar para shumë viteve. Lidhur me këtë çështje ai thotë se edhe gjykata e ka dhënë vendimin. 

Vëllai i Hilmiut hedh akuza mbi familjen e së ndjerës. Thotë se babai i saj këtë punë po e bën vetëm për para. 

“Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më. Dihet se kush është fajtori. Fajtori është prindi i saj i cili nuk e ka këqyrë më së pari te mjeku, me e këqyrë më së pari për problemet që i ka pasë vajza. Unë dy vjet e gjysmë kam punuar në Austri në të zezën për këtë punë, me e martua vëllanë. 24 mijë euro më ka kushtuar e gjithë dasma. E pastaj ne me u kthy e me i bo këto vepra kjo është marri. I kemi pa deklaratat e fundit të familjes së vajzës. Kjo është marri se çka kanë ba ata. Ai pas 6 vjetëve këqyrë me nxjerrë përfitime, pare. Këtu krejt në pyetje janë paret”, thotë vëllai i Hilmiut.

Në familjen e Hilmiut thonë se ai u martua rreth tri javë pas vdekjes së Antigonës. Thonë se vëllanë e martuan edhe nga inati pasi që familja e Antigonës vazhdimisht deklaronte se Hilmiu ia vrau vajzën dhe se kishte qenë edhe në një lidhje me një femër tjetër. Me gruan e tanishme, Resmijen, Hilmiu i ka dy fëmijë.


“Nuk është e vërtetë që vëllau jonë ka qenë në lidhje tjetër në kohën sa ai ka qenë i martuar me Antigonën. Ai i ka dy fëmijë me Resmijen (nusen e dytë). Është martu me Resmijen tri javë mbas, veç pas fjalëve të familjes së çikës që i kanë thanë për neve”, thonë nga familja e Hilmiut.

Babai i Antigonës: Ish-dhëndri deshi të më shkelë me veturë

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Bislim Morina, babai i së ndjerës, thotë se ish-dhëndri i tij, Hilmiu, ka dashur që ta shkelë me veturë derisa kishte dalë në fshat për të shpërndarë qumësht. 

Ai thotë se është i sigurt se në veturë ka qenë ish-dhëndri. Madje, Bisilim Morina deklaron se Hilmiu i ka buzëqeshur derisa kishte qenë në makinë.

“Më 24 dhjetor në Ratkoc, kam qenë t'u çu tamel, te xhamia ka qenë vendi, kur në rrugë mu ka mësy ni kerr Golf, ngjyrë bardhë e verdhë. Unë nuk e kam njoftë atë kerr, kur e pashë që në kerr kish qenë ish-dhandri. Po më sheh edhe po kesh, ma qiti gjuhën dhe ja nisi po kesh”, thotë Bislimi.



Edhe këtë çështje, familja e ish-dhëndrit, Hilmi Zena, e mohon. Ata thonë se nuk ka mundësi që Hilmiu ta kërcënojë. Kjo ngase, sipas tyre, familja Zena nuk ka më asnjë kontakt me familjen Morina.

Gjykata: Lidhur me këtë rast ne e kemi dhënë vendimin vite më parë

Për gjithë këtë punë, në vitin 2011, Prokuroria e Shtetit kishte nisur hetime. Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm Hilmi Zenën. Lënda kishte shkuar edhe në Gjykatën e Apelit. Por edhe kjo e fundit e ka vërtetuar pafajësinë e ish-dhëndrit të familjes Morina, Hilmi Zenës.

Gjykatësi Mizahir Shabani i ka thënë Express-it se vendimi për Zenën është dhënë duke u bazuar në fakte dhe në ligjet në fuqi. Ai thotë se për këtë punë nuk ka se çka të thotë tjetër përpos vendimeve që janë dhënë.

“Gjykata e ka shpallur të pafajshëm Hilmi Zenën, duke u bazuar në faktet dhe ligjet në fuqi. Madje, ky vendim është vërtetuar edhe një shkallë më lart në Gjykatën e Apelit, e cila e ka vlerësuar si vendim të bazuar mirë”, ka thënë Shabani.

Për gjithë këtë çështje, babai i së ndjerës, Antigona Morina, deklaron se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi. Ai po kërkon ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se nëse këta të fundit nuk reagojnë, atëherë ai i vetë do të merret me këtë çështje.

“Unë në këtë situatë nuk do të ndalem. Mesazhi im është i drejtohem ministrit të Drejtësisë mos të më lejë të mbytem unë me ta, po le t'i çelë sytë, ta sheh ligjin, edhe le ta merr dënimin, unë shukatem. Nëse jo unë kom punë të tjera këtej. Mu me më pre në evlad, në besë, nuk e lejoj”, thotë babai i së ndjerës.

Prokuroria pretendonte se Zena kishte kryer veprën “Shkelja e detyrimeve familjare”

Në aktakuzën për këtë çështje, të bërë nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, më datë 12 dhjetor të 2012-s, e të cilën e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se Hilmi Zena, burri i së ndjerës Antigona Morina, i ka shkelur vrazhdë detyrimet e veta familjare, duke e lënë në gjendje të rëndë bashkëshorten e tij të porsamartuar, tani të ndjerën Antigona Morinën, në atë mënyrë që pas gjakderdhjeve që i ka pasur nga organet gjenitale mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj në fshatin Malësi e Vogël, mes datave 25, 26 dhe 27.07.2011, dhe më datë 28.07.2011 në orën 15:00 kishte vdekur. 

Në gjithë këtë çështje Prokuroria pretendonte se Hilmi Zena, kishte kryer veprën penale “Shkelja e detyrimeve familjare” nga Neni 212, paragrafi 2 i KPK-së.
I pandehuri, (Hilmi Zena), i pyetur nga prokurori se e ndjera kishte kërkuar ndonjë ndihmë që të shkojë te mjeku gjatë këtyre ditëve, pasi që ka pasur gjakderdhje të mëdha, i njëjti deklaron se ajo nuk ka kërkuar që të dërgohet te mjeku, edhe pse ishte me shëndet të dobët.  

Në 2012-n në procesverbalin e marrjes në pyetje të të pandehurit nga ana e prokurorisë, Hilmi Zena kishte deklaruar se në natën e parë të martesës kishte kryer marrëdhënie seksuale me Antigonën. Sipas tij, ajo kishte qenë e virgjër dhe si pasojë e kësaj ajo kishte pasur gjakderdhje. 


“Sa më kujtohet mua çdo gjë ka qenë në rregull, dhe unë mendoj se ka qenë në rregull dhe ne të nesërmen ka qenë mirë dhe prapë kemi krye marrëdhënie seksuale, por prapë ka pasë gjakderdhje. Pastaj në ditën e parë në mbrëmje nuk kemi kryer kurrfarë marrëdhënie seksuale, unë nuk kam vërejtë ndonjë shqetësim, por të nesërmen, me dt. 27.2011, kur jemi zgjuar në mëngjes më kujtohet se Antigona ka qenë mirë, nuk ka pasur ndonjë kërkesë”, kishte deklaruar Hilmi Zena para Prokurorisë.

Megjithëkëtë, Zena kishte deklaruar se edhe pse Antigona kishte pasur gjakderdhje të vazhdueshme ajo nuk ishte dërguar te mjeku. Thotë se një gjë të tillë nuk e ka kërkuar asnjëherë e ndjera.

Ai kishte deklaruar se me Antigonën dhe familjen e saj deri në vdekjen e saj kishin pasur marrëdhënie të mira. /G.Hasani/GazetaExpress/

    Data: 08 Shkurt 2018 13:59
    Autori: Gentiana Hasani

    Të tjera