Kthehu lart

Lumezi konfirmon se Elez Blakaj kishte kërcënime sa ndiqte penalisht Shefqet Krasniqin dhe mashtruesit veteranë

Lumezi konfirmon se Elez Blakaj kishte kërcënime sa ndiqte penalisht Shefqet Krasniqin dhe mashtruesit veteranë © Gazeta ExpressFoto: Kushtrim Tërnava GazetaExpress

Dorëheqja e Prokurorit të Speciales, Elez Blakaj, dyshohet se erdhi pas kërcënimeve lidhur me punën e tij. Këtë e ka konfirmuar edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi. Blakaj kërcënime dyshohet se ka pasur gjatë hetimit të listave të fryra të veteranëve dhe në rastin e ndjekjes së imamit Shefqet Krasniqi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se prokurori special tashmë i dorëhequr Elez Blakaj, ka pasur mbrojtje nga shteti në rastet kur ka njoftuar për kërcënimet.

Në rastin e veteranëve, sipas Lumezit ka qenë një kërkesë nga prokurori për të siguruar komisionin mjekësor që ka qenë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila, sipas tij, është marrë parasysh dhe Policia ka ofruar mbrojtje.

Lumezi tha për Insajderin se Blakaj kishte njoftuar edhe një rast tjetër kërcënimi.

Gjatë kohës ka qenë duke e hetuar imamin Shefqet Krasniqi, ndaj të cilit ishte ngritur aktakuzë për terrorizëm, Blakaj kishte pasur kërcënime ndaj fëmijëve të tij.

Në këtë rast Lumezi thotë se vetë kishte kërkuar që Policia e Kosovës që t'u ofrohet mbrojtje fëmijëve të prokurorit.

“Kur ka qenë rasti i hetimit të Shefqet Krasniqit ne i kemi dhënë mbrojtje dhe ia kemi siguruar fëmijët çdo ditë i kemi dërgu në shkollë edhe i kemi pritë, pra policia e Kosovës e ka bërë këtë pas kërkesës sime pasi që prokurori më ka njoftu se fëmijët janë kanosur. Ai vetë nuk ka pranuar të ketë mbrojtje të afërt lidhur me këtë rast”, tha Lumezi për Insajderin.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, ka dhënën dorëheqje nga ky institucion me 13 gusht.

Lumezi tha se prokurori Blakaj ka qenë në pushim, kur ka njoftuar për dorëheqjen.

“Prokurori ka shku në pushim, mandej e ka njoftu kryeprokurorin e Speciales që më nuk është prokurorë, pa dhënë ndonjë sqarim tjetër për arsyeje e dorëheqjes”, tha Lumezi.

Ndryshe, Elez Blakaj që së fundi ishte duke hetuar manipulimet me listat e veteranëve të UÇK-së kishte si prokuror special kishte ndjekur edhe disa nga rastet më të njohura që ndërlidheshin me terrorizëm. 

Ai kishte ngritur aktakuzë ndaj imamit kontrovers Shefqet Krasniqi, dhe grupeve e individëve të ndryshëm radikalë, shkruan Gazeta Express. 

Blakaj, para pak vitesh, akuzoi për rekrutim të terroristëve edhe ish-imamin gjilanas Zekria Qazimi dhe grupin e tij. Të njëjtit janë të dënuar për këto akuza, me vendim të plotfuqishëm, nga gjykata.

Përveç këtyre rasteve Elez Blakaj ka qenë njëri nga tre prokurorët e angazhuar në hetimin e aferës "Pronto", ndaj personazheve të së cilës në prill të këtij viti u ngrit aktakuzë. 

Vetë Elez Blakaj ende nuk është deklaruar për dorëheqjen. /GazetaExpress/. 

    Data: 15 Gusht 2018 10:07
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera