Kthehu lart

Kosova pritet të përfitojë qindra miliona dollarë nga SHBA'të

Kosova pritet të përfitojë qindra miliona dollarë nga SHBA'të GazetaExpress

​Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit MCC, një agjenci e themeluar kjo nga Qeveria Amerikane, për herë të parë pas një periudhe 5 vjeçare i ka hapur rrugë edhe Kosovës që të përfitojë qindra miliona dollarë në formë të granteve.

Kjo agjenci çdo vjet ndan grante për shtete të ndryshme në botë, për të mbështetur zhvillimin ekonomik.

Zyra e Presidentes së Kosovës, që ka udhëhequr procesin e kualifikimit për të marrë fonde zhvillimore nga Korporata Sfidat e Mijevjecarit (MCC), ka thënë se vendimi për asistencën dhe madhesinë e saj do të merret në dhjetor, në takimin e Bordit të kësaj agjencie që udhëhiqet nga sekretari amerikan John Kerry. 

Adrian Prenkaj, këshilltar i Presidentes Jahjaga, në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se kalimi i pragut të indikatorëve është komponenti më i rëndësishme në procesin e përzgjedhjes se cilat shtete marrin fonde për zhvillim nga MCC, por megjithatë kjo varet edhe prej fondeve në dispozicion të kësaj agjencie dhe numrit të shteteve që kalojnë pragun. Kosova pret lajme të mira nga MCC, por megjithatë, sipas tij, gjithçka varet nga vendimi i Bordit në dhjetor.

Së fundi, Liberia ka përfituar hiç më pak se 257 milionë dollarë, për përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe rrugore.

Edhe Shqipëria nga e njëjta agjenci ka përfituar mbi 15 milionë dollarë për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe për të siguruar lirinë ekonomike, transmeton Kosovapress.

Tash e tutje, përfitimi i këtyre granteve do të jetë i mundur edhe për Kosovën, pasi vendi ynë ka kaluar notimin në MCC, që është një përmbledhje prej 20 indikatorëve të pavarur të hartuar nga një palë e tretë, të cilët masin performancën e politikave të vendit në fushat e lirisë ekonomike, investimit në resurset njerëzore dhe qeverisjen e drejtë.

Bazuar në publikimin e notimit të cilin Kosova e ka pranuar nga ana e MCC, të cilën e posedon KosovaPress, këtë vit Kosova në vlerësimin e përgjithshëm ka shënuar përmirësim në disa nga indikatorët të cilët janë notuar dhe kualifikohet për mbështetje nga ana e kësaj agjencie.

Në dhjetor, Bordi i Drejtorëve të MCC pritet të selektojë përfituesit e asistencës përmes granteve bazuar në performancën e notimit, informatave relevante plotësuese, përpjekjeve të përgjithshme për uljen e varfërisë, gjenerimit të rritjes ekonomike dhe fondeve ne dispozicion.

    Data: 12 Nentor 2015 16:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera