Kthehu lart

Graçanica i fal tokë Fushë-Kosovës, Vetëvendosje thotë se ajo po bën spastrim etnik

Graçanica i fal tokë Fushë-Kosovës, Vetëvendosje thotë se ajo po bën spastrim etnik GazetaExpress

Graçanica ka vendosur t’ia falë Fushë Kosovës, pa asnjë kompensim, rreth 60 hektarë tokë, konkretisht fshatin Uglar dhe Zonën Kadastrale Preoc, ku ndodhet lagjja Marigona.

Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar marrjen e kësaj hapësire nga Graçanica, por vulën kryesore pritet ta japë Kuvendi i Kosovës, raporton KTV.

Kundër vendimit kanë dalë një pjesë e opozitës, përfshirë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk besojnë në zemërgjerësinë e Graçanicës.

Sipas tyre, Graçanica po bën pastrim etnik, duke i hequr nga zona e vet dy fshatrat shqiptarë.

Por nuk mendon kështu kreu i Fushë Kosovës, Burim Berisha. 

Ai thotë se nga ky vendim përfitojnë banorët e këtyre fshatrave, të cilët edhe ashtu kanë qenë të diskriminuar, pasi asnjëherë Graçanica nuk ka investuar në to.

Kryetarja e degës së Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Albana Gashi, ka thënë se ky vendim i dy kuvendeve komunale, Graçanicës dhe Fushë Kosovës, është antikushtetues. 

Ka reaguar edhe Partia e Pavarur Liberale Serbe, e cila ka theksuar se asamblistët e saj në Graçanicë kanë kundërshtuar faljen e qindra hektarëve tokë Komunës së Fushë Kosovës. 

SLS-ja ka thënë se kërkon që ky vendim i mjegullt dhe apatik të zhvleftësohet dhe insiston në formulimin transparent të kërkesës, pasi nuk e di nëse kërkesa është bërë nga Fushë Kosova apo nga Graçanica.

    Data: 10 Tetor 2018 19:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera