Kthehu lart

Cavusoglu: Trumpi po e shqyrton ekstradimin e Gulenit në Turqi

Cavusoglu: Trumpi po e shqyrton ekstradimin e Gulenit në Turqi GazetaExpress

Sipas ministrit të jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, presidenti amerikan është duke punuar në ekstradimin e klerikut turk, Fetullah Gulen, në Turqi. Ky ka qenë një synim i presidentit Erdogan për një kohë të gjatë.

“Në Argjentinë, Trumpi i ka thënë Erdoganit se ata janë duke punuar për ta ekstraduar Gulenin dhe njerëzit tjerë në Turqi”, tha Cavusoglu në një konferencë në Katar, duke iu referuar samitit të G20-ës që u mbajt muajin e kaluar në Buenos Aires.

Raportohet se Shtëpia e Bardhë është duke kërkuar mënyra për t’ia bërë këtë favor Erdoganit, në mënyrë që ta shuajë zemërimin e tij për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Këto të dhëna i kanë përfolur dy zyrtarë të lartë amerikanë dhe dy persona të tjerë që janë të afërt me këto zhvillime.

Administrata e Trumpit ka kërkuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit që të gjejnë mënyra ligjore për ekstradimin e Fetullah Gulenit në mënyrë që Erdogani ta zbusë qëndrimin dhe presionin e tij ndaj qeverisë saudite. Guleni është figurë kundërthënëse në Turqi sepse Erdogani e ka akuzuar atë për organizim të puçit të dështuar në vitin 2016, shkruan “NBC News”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 16 Dhjetor 2018 13:44
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera