Kthehu lart

Burgjet e Kosovës të mbushura me hajdutë

Burgjet e Kosovës të mbushura me hajdutë GazetaExpress

Tentuan që të bënin kërdi nëpër shtëpi e të mos linin asnjë gjurmë, por disa prej hajdutëve nuk iu priu fati. Ata u zunë në flagrancë duke kryer vjedhje. Tani disa prej tyre janë duke e vuajtur dënimin ose janë në paraburgim. Vetëm për të realizuar qëllimin e tyre, ata nuk i kursyen as jetët e njerëzve. Hajdutët këtë vit vranë dy persona në vendin e tyre të punës dhe plaçkitën mbi 2 mijë shtëpi. Për veprën penale të vjedhjes, në vuajtje të dënimit tash janë 254 persona, kurse 51 të tjerë janë në paraburgim, shkruan Gazeta Express.

Pothuajse çdo ditë në vend plaçkiten rreth 15 shtëpi, lokale e banesa. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në vend janë evidentuar 2 mijë e 875 vjedhje, shkruan Gazeta Express.

E gjithë kjo sipas statistikave për numrin e vjedhjeve në periudhën janar-qershor të 2018-ës, që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës.

Në bazë të këtyre statistikave ndonëse numri i vjedhjeve po shënon rënie nga viti në vit, prapë shifrat mbesin të larta. Mbi 10 mijë vjedhje kanë ndodhur në dy vitet e fundit në vend.

“Gjatë vitit 2016 janë evidentuar 6105 vjedhje, në vitin 2017 janë evidentuar 5735 vjedhje, apo shprehur në përqindje rreth 6 % më pak se në vitin paraprak. Kurse, në gjashtëmujorin e parë 2018 (janar-qershor) janë evidentuar 2875 vjedhje”, thuhet në përgjigjet e Policisë për Express.

Por, përveç që po plaçkiten shtëpitë, në vend po vidhet edhe mali. Rreth 300 raste të vjedhjeve të pyllit përmenden në raportin vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2017.

E qytetet në të cilat ndodhin më së shumti këto raste po del të jenë Prishtina, pasuar nga Prizreni dhe Peja.

Për të kryer këto vjedhje, hajdutët nuk po i kursejnë as xhamitë. Hiç më larg se sot është raportuar në Polici se në një prej xhamive në vend, hajdutët kanë vjedhur mikrofonat.

Por, edhe pse ka kaq shumë vjedhje në Polici thonë se në krahasim me vitet e kaluara, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie.

"Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 6105, në 5735, ose rënie për 6.06%, ndërsa numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222, ose rënie për 6.76%", theksohet në raportin vjetor të punës së policisë.

E disa prej këtyre personave që kryen vjedhje tash janë duke u përballur me Ligjin.

Tani në vuajtje të dënimit për këtë vepër janë 254 persona, gjersa mbi 50 të tjerë gjenden në paraburgim.

Së paku kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“Në kuadër të institucioneve korrektuese për momentin janë duke vuajtur dënimin për veprat penale të vjedhjes 254 persona, ndërsa po për këto vepra në paraburgim për momentin ndodhen gjithsej 51 persona”, kanë thënë nga SHKK-ja për Gazetën Express.

Por, disa prej personave edhe pse kryen vjedhje, në fund ata edhe u ‘shpërblyen’. I tillë është rasti i Ali Rugovës. Njëri nga të burgosurit të falur nga Presidenti Thaçi ka qenë në burg për veprën penale “vjedhje të rëndë”.

Rugova kishte qenë i dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për vjedhje të rëndë. Atij i ishin falur më pak 3 muaj, pasi dënimi i rregullt kishte qenë deri më datën 20 korrik të 2017-ës.

Gazeta Express ka provuar të marrë informacione edhe nga Prokuroria për të ditur se sa është numri i rasteve të vjedhjeve që janë duke u hetuar nga Prokuroria dhe se cilat janë rezultatet e këtyre hetimeve, por në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje.(A.SH)/Gazeta Express

    Data: 10 Gusht 2018 15:33
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera