Kthehu lart

“Besa” partia e re shqiptare në Maqedoni

“Besa” partia e re shqiptare në Maqedoni GazetaExpress

​Skena politike shqiptare në Maqedoni do të pasurohet edhe me një subjekt të ri politik, i cili premton se do të luftojë për shtet të barabartë për të gjithë qytetarët e saj.

Lëvizja politike “Besa”, e cila do të formalizohet gjatë muajit nëntor, synon të ofrojë një marrëveshje të re politike për një shtet dy-nacional që do ti trajtojë njësoj të gjitha komunitetet në vend.

Njëri nga themeluesit e saj, Afrim Gashi shprehet se platformë e tyre përmban një koncept të ri, i cili kërkon ta kthejë Maqedoninë në një shtet të suksesshëm.

Ai shprehet se, “Besa” do të angazhohet për një sistem të ri politik, i cili do të jetë funksional dhe do të reflektojë realitetin shoqëror të Maqedonisë.

“Ne vlerësojmë se shteti ynë është asimetrik dhe realiteti shoqëror nuk përputhet me realitetin juridiko-politik. Në Maqedoni ka dy popuj dhe të tjerët janë komunitete më të vogla etnike, por shteti, përveç maqedonasve, të gjithë të tjerët i trajton si pakica. Ne vlerësojmë se shteti duhet të ketë trajtim të barabartë ndaj të gjithëve në Maqedoni dhe të mos udhëhiqet nga parimi ‘pronari dhe qiraxhiu’”, shprehet Gashi.

Ai thekson se për realizimin e këtij projekti do të ketë një bashkëpunim të mirë edhe me përfaqësuesit e politikës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë.
Ndërkohë, njohësit e zhvillimeve politike në vend thotë se, Lëvizja e re e ka shansin që me një koncept autentik, me program të qartë politik, ekonomik e social, të korrë sukses në skenën politike. (INA)

    Data: 22 Tetor 2014 14:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera