Kthehu lart

Berisha i bëri shërbimet e fundit pas vdekjes Hysni Kapos

Berisha i bëri shërbimet e fundit pas vdekjes Hysni Kapos GazetaExpress

Në një shkrim për gazetën “Dita”, avokati Idajet Beqiri, kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, tregon disa nga enigmat që la pas vdekja e një prej udhëheqësve të komunizmit Hysni Kapo. Si mori përsipër Berisha të bënte kallëpin e maskës së fytyrës dhe dorës të udhëheqësit të vdekur, me kërkesën e të shoqes. Pritja në Rinas për trupin e Hysniut. Pse e gënjeu Vito Enver Hoxhën, mbi fjalët e fundit të të shoqit

Nga Idajet Beqiri

 Pas vdekjes së Hysniut, Vito Kapo u shfaqi mjekëve shqiptarë që ndodheshin aty dëshirën që të kishte dorën e  djathtë të Hysniut të derdhur sipas formës origjinale të saj në një masë plastike të qëndrueshme për t’i rezistuar kohëve dhe ambientit. Donte një kujtim të përjetshëm të tij.

 Kërkesa e Vitos u përcoll me habi dhe skepticizëm prej shumicës së mjekëve tanë të  ndodhur pranë trupit pa jetë të Hysni Kapos në Spitalin e Parisit. Ajo punë kishte një kosto dhe donte një angazhim. Në moment e mori fjalën Sali Berisha, për të cilin, sipas shënimeve të Nexhipit në Fletore, “kjo gjë ishte shumë e thjeshtë për t’u realizuar”.

 Ai i mori përsipër Vito Kapos jo vetëm që t’i jepte thuajse si origjinale dorën e Hysniut, por madje edhe fytyrën e tij. Berisha ndihej si në shtëpinë e vet në atë spital, falë marrëdhënieve me profesor Gurgonin, shtetas francez me origjinë nga ish Jugosllavia. Brenda një kohe rekord Berisha realizoi marrjen e formës nga origjinali të dorës dhe fytyrës së Hysni Kapos, dhe pasi i përgatiti të dyja ato me një cilësi të tillë, sa dukeshin origjinale, ia dha në dorë Vitos, para se kufoma të vendosej në morgun e nëndheshëm të Spitalit, ku qëndroi për 3 ditë.

 Sjellja e kufomës së Hysni Kapos në Shqipëri u bë me një avion special qeveritar francez. I gjithë personeli mjekësor dhe i shërbimit që u ndodh pranë Hysni Kapos në ato afro dy muaj të qëndrimit të tij në spitalin e Parisit, ndryshe nga hera e parë kur u nisën nga Tirana pjesë-pjesë dhe me linja ajrore dhe hekurudhore të ndryshme, erdhën me të njëjtin avion ku ndodhej trupi pa jetë i Hysni Kapos.

 Gjatë gjithë udhëtimit në avion sundonte një heshtje e rëndë, të cilën e impononin kryesisht Vito Kapo dhe njerëzit më të afërt që i kishin shërbyer nga afër dhe një jetë të tërë Hysni Kapos, lotët e të cilëve nuk ndaleshin.

 Avioni mbërriti në Rinas në datën 26 shtator 1979. Për të pritur trupin e Hysni Kapos në Rinas kishin dalë të gjithë burrat e shtetit të asaj kohe, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, e deri te të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, pjesëtarë dhe të afërm të familjes “Kapo” si dhe qytetarë të shumtë.

 Ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Francës në Shqipëri.

 Hysni Kapo ishte jo vetëm numri 2 i atij regjimi, në kohën që Enver Hoxha ishte gjallë, por nga ana tjetër ishte personifikimi i njeriut të matur që zbuste dhe neutralizonte disi ashpërsinë e diktaturës. Janë të pafundme rastet kur ai, me qetësinë dhe autoritetin e padiskutueshëm ka shmangur nga ndëshkimi penal shumë njerëz, të futur në listën e viktimave të sistemit.

 Ai ishte ekuilibrues i mirë edhe i vetë klaneve të pushtetshëm të asaj kohe. Pas të ashtuquajturit “unitet i çeliktë” brenda udhëheqjes,  herë pas here shfaqeshin probleme dhe intriga të rënda, xhelozira dhe cmira të ndryshme, të cilat bëheshin rrezik për eliminime të njeri tjetrit dhe të tilla kishte me shumicë gjatë gjithë kohës. Hysni Kapo me pjekurinë e tij dhe ndikimin tek Enver Hoxha i para viteve 1970, i zbuste situatat, i normalizonte marrëdhëniet mes klaneve të kohës. Kështu që vdekja e parakohshme e tij shkaktoi dhimbje dhe shqetësim serioz, nga lart dhe deri poshtë në popull.

 Kthimi në atdhe i trupit të Hysni Kapos

 Kur avioni u ul, gjithë udhëheqësit e lartë komunistë me Enver Hoxhën në krye u afruan. Sipas dëshmisë së shoqëruesve në “Fletore”, u shkëput nga rreshti Kadri Hazbiu dhe ngjiti shkallët e avionit, duke u futur brenda tij. U takua me Ramiz Alinë. Nuk dihet se çfarë biseduan.

 Pastaj të gjithë ata që ishin në avion dhe shoqëronin Hysni Kapon, të prirë nga Vito Kapo zbritën dhe u takuan me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun etj. Nexhip Pajaj shkruan në shënimet e tij se “nga syri i djathtë, por vetëm nga syri i djathtë”, Enver Hoxhës i rrëshqiti deri afër buzës një pikë loti i madh kur u përqafua me Viton. Ndërsa Mehmet Shehu, Spiro Koleka dhe Rita Marko nuk e mbanin dot veten duke i derdhur lotët çurg. Të vetmit që nuk derdhnin lotë ishin Ramiz Alia dhe Hekuran Isai. Pasi i takoi të gjithë udhëheqësit e shumtë që pritën në Aeroportin e Rinasit Hysni Kapon, Vito Kapo ju hodh për të dytën herë në qafë Enver Hoxhës dhe i tha:

 “I dashur shoku Enver, fjalët e fundit të Hysniut para se të mbyllte sytë ishin: Të rrojë Partia, të  rrojë shoku Enver”!

 Enver Hoxha qante si fëmijë. Vito Kapo mbante Enverin, ndërsa Nexhmije Hoxha mbante Viton.

Në fakt Vito Kapo nuk i tha të vërtetën Enver Hoxhës. Mjekët dhe shoqëruesit e Hysni Kapos, e dinin që ky u fut në sallën e operacionit për të dalë i shëruar, por pas tij nuk mundi të thoshte më asnjë fjalë.

 Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu u vunë në krye për të mbajtur mbi supe arkivolin me trupin e Hysni Kapos. Mehmeti në të djathtë dhe Enveri në të majtë. Pas tyre, ata që mbanin peshën e arkivolit ishin punonjësit e Gardës së Republikës. Enveri kishte vendosur formalisht dorën e majtë te arkivoli, ndërsa Mehmet Shehu, jo vetëm që e mbante arkivolin mbi supe, por kokën e tij e mbante të ngjeshur te arkivoli, aty ku binte koka e Hysniut sikur donte “të dëgjonte” ndonjë fjalë prej tij.

 E vendosën arkivolin në një makinë të zezë të tipit “Zuk”. Pas saj ishte “Benzi” i zi i Hysni Kapos dhe pastaj kortezhi u krijua me 24 makina të tjera në përdorim nga udhëheqësit komunistë të kohës. E sollën Hysni Kapon në Sallën e Presidiumit të Kuvendit Popullor ku do t’i bëheshin homazhe.

 Kur Vito Kapo me fëmijët u akomodua te vila e saj në Bllok, i erdhën për vizitë Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Në një faqe të murit të dhomës së  pritjes ishte një foto e Hysni Kapos dalë me veshje  partizani, ndërsa në faqen tjetër ishte fotoja ku kishin dalë tre burrat më të fortë të regjimit, Enveri, Mehmeti dhe Hysniu.

 Enveri thuajse gjithë kohën e qëndrimit për ngushëllim foli vetëm me Besnikun, djalin e dytë të Hysniut, i cili e mbante shumë mirë veten. Ndërsa Mehmet Shehu mbante të shtrënguara duart e Vitos te duart e tij dhe bisedoi me të. Pastaj e gjithë udhëheqja me Enver Hoxhën në krye bën homazhe para trupit të Hysniut, i cili u vendos në Sallën e Presidiumit. Arkivoli ishte i mbyllur, por prej xhami të tejdukshëm dhe fytyra dhe trupi i Hysniut dukeshin qartë. Homazhe ata bënë edhe të  nesërmen, në datën 27 shtator 1979, ditë në të cilën u bë edhe varrimi i Hysni Kapos.

Gjatë dy ditëve të homazheve pranë arkivolit të Hysni Kapos kaluan me qindra shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e atdheut. Ata derdhnin lotë pa fund. Midis atyre që lotonin më shumë, Nexhipi, i cili qëndronte “non stop” pranë arkivolit, dalloi dibranin e moshuar me qeleshe të bardhë, me të cilin Hysni Kapo kishte qeshur aq shumë dy vite më parë.

 Plaku jetonte në një fshat afër Peshkopisë. Hysni Kapo kishte shkuar në Dibër për të bërë disa seanca kurative në llixhat që ndodhen pranë këtij qyteti. E shoqëronin edhe dy shoqëruesit e tij të përhershëm Xhipja dhe  Eqeremi. Flinin te Vila e Udhëheqjes në kodrën e qytetit të Peshkopisë. Hysniu shëtiste çdo ditë në një rrugë fshati tepër të ngushtë. Nexhipi e Eqeremi i shkonin pas disa metra në distancë. Në një prej ditëve, pas dy shoqëruesve të Kapos, vinte një mushkë e ngarkuar mirë, dhe pas saj një burrë i vjetër me veshje dibrani.

 Meqë Hysniu po ecte ngadalë, po ngadalë ecte edhe mushka, pasi për parakalim nuk bëhej fjalë në atë rrugë të ngushtë. Të zotit të mushkës iu sos durimi pasi iu dhimbs kafsha e gjorë e cila mbante gjithë atë ngarkesë në shpinë dhe rrugën e kishte të bllokuar. Dhe i tha Nexhipit të hapnin pak rrugën, duke qëndruar në anën e ledhit. Nexhipi ju afrua Hysniut dhe qëndruan në cep të udhës sa të kalonte mushka. Një e shtyrë e vogël, i hidhte në përrua. Për dreq mushka kur u afrua aty ku kishte hapur udhën Hysniu, bëri një lëvizje nervoze të pakontrolluar dhe ngarkesa mbi samar goditi pak Hysniun. Shoqëruesit u shqetësuan shumë, por Hysniu i qetësoi.

 Pasi eci disa metra, dibrani ndali dhe po e vështronte me kujdes Hysniun. Pas një çasti i tha: “Ti je komisari Hysni Kapo…?!” – Kishte qenë partizan në Brigadën e Pestë. Mbasi i tha emrin dhe disa detaje, Hysniu e njohu dhe u puthën me mall.  – Prandaj doje të më hidhje në përrua ti, se më ke pasur komisar?  –  qeshi Kapo dhe e ftoi familjarisht për darkë te Shtëpia e Pritjes në Peshkopi.

Ceremoniali mortor i Hysni Kapos u organizua para Presidencës. Fjalën e lamtumirës e mbajti Mehmet Shehu.

Ishte një fjalim brilant që zgjati rreth 9 minuta sipas shënimeve në Fletore. Në të kishte dhimbje të thellë. Dyshja Shehu-Kapo kanë qenë bashkë qysh nga viti 1943 e deri në 1979. Mehmet Shehu thoshte se Hysni Kapon e kishte vëlla të madh, e pas tij vinin tre vëllezërit e tjerë të tij…

 Fjala e Mehmetit kishte brenda jo vetëm dhimbje dhe pikëllim, jo vetëm mospajtim me ikjen e parakohshme dhe misterioze nga jeta të Hysni Kapos. Ai e cilësoi Hysni Kapon si luftëtar të madh dhe udhëheqës të shquar të LANÇ-it, dhe shpesh gjatë fjalimit kthehej drejtpërdrejt nga trupi i Hysniut dhe i fliste atij. “Lamtumirë o shoku ynë, gojë mjaltë e zemër zjarr, besnik i maleve të Labërisë, o vëllai ynë Hysni”, e mbylli fjalën e tij Mehmet Shehu.

    Data: 25 Mars 2016 13:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera