Kthehu lart

Apostulli Pal, çfarë mesazhe i dërgoi Thaçi Haradinajt nëpërmjet Lekajt

Apostulli Pal, çfarë mesazhe i dërgoi Thaçi Haradinajt nëpërmjet Lekajt Albioneta Ademi Autori: Albioneta Ademi GazetaExpress

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve do ta çonte vendin në luftë. Sipas presidentit Thaçi, jetësimi i idesë së tij sjell paqen me Serbinë. Në këtë pikë dy liderët shtetërorë patën përplasje që presidenti do t’i quante ‘sporadike’. Thaçi nuk është i kënaqur me raportet që ka me kryeministrin, prandaj, siç mëson Gazeta Express, ai i ka dërguar fjalë Haradinaj përmes Pal Lekajt, se nëse nuk i zbut deklaratat e tij për ndryshimin e kufijve, do t’ia rrezojë Qeverinë

Ndryshimi i kufijve ka muaj që po i përplas kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Presidentin Hashim Thaçi, që po e shet si ide të tijën.

Gazeta Express ka mësuar nga burimet se Presidenti Thaçi, pas përplasjeve publike me Haradinajn, i ka bërë thirrje këtij të fundit të gjejnë një kompromis, në të kundërtën do të marrë masa t’ia rrezojë Qeverinë.

Për t’i çuar fjalë, Express mëson se Thaçi e ka përzgjedhur nënkryetarin e AAK’së, Pal Lekajn.

Lekaj, që mban pozitën e ministrit të Infrastrukturës, për Gazetën Express ka mohuar se ai takohet me Presidentin për çështje të tjera, pos për punët Presidencë-Ministri.

“Unë me z. Thaçi takohem, por nuk do të thotë kjo... unë e respektoj për institucionin e Presidentit. Të gjitha takimet janë në suaza të punës që ne i kryejmë. Diçka ma shumë e ma pak nuk ka”, ka thënë Lekaj për Gazetën Express.

Të njëjtat burime tregojnë se Lekaj provon të rregullojë raportet e shefit të tij me Thaçin, pasi ky i fundit i ka premtuar ministrit të Infrastrukturës se do ta ndihmojë në heqjen e aktakuzës që është ngritur ndaj tij.

Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gjykata Themelore e Gjakovës e ka konfirmuar aktakuzën sa i përket kësaj veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa i ka hedhur poshtë aktakuzën për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ndërsa, me detyrën e re që Thaçi i ka dhënë Lekajt, ky i fundit ka marrë premtim nga presidenti i vendit se do të dalë i pastër në plotëni. Megjithatë, ministri Lekaj ka mohuar ta ketë folur çështjen e aktakuzës ndonjëherë me Thaçin.

“Asnjëherë nuk e kam biseduar me Presidentin aktakuzën sepse nuk kam nevojë. E ndjej vetën të pafajshëm dhe në këtë drejtim as që e kam biseduar ndonjëherë me Presidentin Thaçi e as me ndonjë zyrtar të Qeverisë”, është shprehur Lekaj.

Nënkryetari i AAK’së ka thënë se me Presidentin nuk është takuar askund tjetër, përvec në zyrë.

Ky nuk është tregimi i parë i Presidentit Thaçi që përdor Lekajn si mashë për ta prekur Haradinajn e nxehur nga veprimet e Thaçit.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në prill, kur Haradinaj ishte mllefosur për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, që mendohet që ka ndodhur me urdhër të Presidentit. Atë kohë Kryeministri shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI’së, pasi ia kishin mbajtur të fshehur operacionin – i konsideruar si i turpit edhe nga bashkësia ndërkombëtare. 

Pasi Haradinaj deklarohet me dhjetëra herë kundër rrëmbimit të gylenistëve nga shteti, Thaci kishte filluar flirtin me Lekajn e AAK’së. Kishte shfrytëzuar një festë katolike për t’i shkuar Palit në shtëpi e për të postuar tutje një album fotografish me të. Aty takoi kryeministrin e hidhëruar. Presidentit, atë kohë, i mjaftoi të tregonte se raportet me Haradinajn nuk i kishte aq të acaruara, sic tingëllonin deklaratat e kryeministrit kur fliste për dëbimin e gylenistëve.

Atëherë kur Haradinaj dukej se harroi çështjen e gylenistëve, Thaçi lobonte pa pushim për idenë e tij të ndryshimit të kufijve me Serbinë, të cilën kryeministri ia kundërshtonte qetazi. Tutje vijuan përplasjet publike Thaçi-Haradinaj.

Madje Presidenti gjatë një konferencë për media tha se nëse kryeministri nuk korrigjohet, mund të ndërrohet. Ky u mor si mesazh, që Thaçi po ia çonte direkt Haradinajt për rrëzimin e Qeverisë, edhe ashtu të brishtë.

Lekaj për Express thotë se Qeveria e Presidenti nuk kanë nevojë për ndërmjetësim, sepse raportet e tyre janë të mira, pa marrë parasysh qëndrimet e kundërta politike.

“Unë i kam raportet e mira me z. Thaci . Ndërmjetësim nuk është dashtë që të kemi, sepse raportet janë të mira pa marrë parasysh mendimeve të ndryshme politike. Ne i ruajmë raportet mes Presidentit dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Raportet e Pal Lekajt me Presidentin Thaci nuk kanë qenë gjithmonë kaq të ngrohta. Kur AAK ka qenë në opozitë, Lekaj e quante Thaçin tradhtar që po i jepte tokë Malit të Zi.

Pas formimit të Qeverisë Thaçi, sipas nënkryetarit të AAK’së, ishte më i denji për ta udhëhequr dialogun me Serbinë. /Express/

    Data: 25 Tetor 2018 16:44
    Autori: Albioneta Ademi

    Të tjera