Zbatimi i marrëveshjeve po zvarritet qëllimisht


02/05/2015

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka thënë se pjesa e fundit e muajit prill ka qenë koha e paraparë që e ashtuquajtura ‘Mbrojtje Civile’ (strukturë ilegale) t’i mbyllë të gjitha pikat e vëzhgimit dhe t’i dorëzojë të gjitha pajisjet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se nga Qeveria e Kosovës është kërkuar të jepet edhe pak kohë për shkak të procesit të ndërlikuar. 

“Kur nuk ka vullnet politik gjërat vonohen. Ajo që kam konstatuar është se Serbia ende nuk e ka vullnetin e plotë politik për fqinjësi të mirë me Kosovën, prandaj edhe vazhdon t’i vonojë marrëveshjet”, ka thënë Tahiri për “Radion Evropa e Lirë”. 

Ajo ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka marrë obligim që pjesëtarët nga kjo strukturë t’i integrojë në institucionet e vendit. “Kemi marr obligim që për periudhën trevjeçare t’i punësojmë, sepse është e pamundur të gjithë t’i punësojmë menjëherë. Po shprehim përkushtimin tonë për qytetarët tanë të komunitetit serb. Kemi aplikuar edhe Ligjin për amnisti, për t’u thënë se ne jemi të gatshëm për riintegrimin e tyre”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se numri i atyre që do të inkuadrohen në institucione do të jetë rreth 400. 

Ndërsa eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë të premten se zvarritja e procesit të zbatimit të marrëveshjeve, edhe kjo për zhbërjen e strukturës paralele ‘Mbrojtja Civile’, po bëhet qëllimisht nga të tria palët. 

“Me çka do të merreshin pala e Kosovës dhe pala serbe nëse nuk do të ishte ky dialog?! Palës serbe po i konvenon për shkak se dëshiron ta mbajë peng Kosovën sa më gjatë. Gjithashtu, edhe palës së Kosovës po i konvenon për të shkuar më shpesh në Bruksel dhe për të marrë mëditje dhe për të bërë shoping turistik. Ndërsa Federica Mogherinit nuk i ngutet sepse ka mandat pesëvjeçar. Kjo është zvarritje e qëllimshme nga të tria palët”, ka deklaruar Maloku për “Epokën e re”. 

Ai ka thënë se pala e Kosovës nuk është e interesuar ta afatizojë procesin e dialogut. “Ekipi dialogues nga Kosova shkon në Bruksel për çështje personale dhe për përfitime materiale. E vetmja që po fiton është Serbia, sepse asaj i konvenon sa më gjatë ta zvarrisë këtë punë, mirëpo këtë po ia mundëson pala e Kosovës që nuk po insiston të ketë afate dhe t’u përmbahet atyre afateve. 

Më së shumti nga e gjithë kjo po humb shteti i Kosovës”, është shprehur Maloku, duke shtuar se ekipi negociator i Kosovës procesin e dialogut e ka shndërruar në biznes. “Rambuje ka pasur afat, dialogu në Planin e Ahtisarit ka pasur afat, kurse dialogu në Bruksel nuk është i afatizuar. Pala e Kosovës nuk është e interesuar ta afatizojë këtë proces për shkak se e ka bërë biznes këtë punë. Bëhet fjalë për para të mëdha, hotele të shtrenjta në Bruksel dhe vizita turistike. Serbia po fiton politikisht për shkak se Kosovën e zvarrit në proceset e shtetndërtimit”, ka theksuar Maloku. Në këtë kontekst, ai ka thënë se ekipi i Kosovës është duke shpenzuar para të majme. “Askush nuk e di se sa i ka kushtuar buxhetit ky farë turizmi në Bruksel. As gazetarët nuk pyesin për këtë sepse edhe ata atje marrin mëditje”, ka theksuar Maloku. 

Kurse ish-drejtoresha e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, ka thënë se Serbisë nuk është duke iu ngutur normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe për këtë arsye procesi i zbatimit të marrëveshjeve po shkon ngadalë.

“Të gjitha marrëveshjet e deritanishme e kanë mungesën e detajeve. Marrëveshjet janë në sipërfaqe, por nuk kanë mekanizma për implementim. Këtu ka shumë mospajtime në mes të palës serbe dhe asaj të Kosovës. Ka përparime vetëm kur faktori ndërkombëtar bën presion. Serbisë nuk është duke iu ngutur normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe për këtë arsye procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura po shkon ngadalë”, ka thënë Hoxhiq . 

Ajo ka vlerësuar se me integrimin e institucioneve paralele qytetarët nuk duhet të mbesin pa vende pune. “Me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e shoh që vjen deri tek zhdukja e institucioneve paralele për të cilat është paraparë integrimi në sistemin e Kosovës. Kjo duhet të bëhet në një mënyrë paqësore sepse është e rëndësishme të merret parasysh nevoja e qytetarëve të cilët i kanë vendet e punës nëpër ato institucione të Serbisë dhe qëllimi primar është që ata njerëz të mos mbesin pa vende pune”, ka theksuar Hoxhiq.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart