Vetëvendosje kërkon ndaljen e hetimeve për Astrit Deharin


10/11/2016

Sekretari Organizativ i “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj, tha se dyshimet nisin që nga dita e parë kur drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, ka thënë se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e përdorimit të medikamenteve.

Molliqaj tha se nuk mund t’i besojnë Krasniqit, që, sipas tij, është emëruar nga politika.

“Për Vetëvendosjen është e pamundur që kjo strukturë e hetimeve të marrë pjesë në zbardhjen e rastit”, ka shtuar Molliqaj.

“Kjo është arsye thelbësore pse familja dhe LVV-ja nuk besojnë që duhet të bëhet përmes mjekoligjorëve pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Jemi të brengosur me administrimin e provave pa prezencën e mjekoligjorëve të pavarur”, tha Molliqaj në një konferencë për media.

Molliqaj ka folur edhe për vizitën e tij që ia ka bërë të ndjerit Dehari derisa ishte në paraburgim.

Ai tha se më 27 tetor e ka vizituar Deharin dhe kjo nuk është e fshehtë. Molliqaj tha se vizita e tij nuk ka qenë e fshehtë dhe se vizita është realizuar me lejen e gjyqtarit Vehbi Kashtanjeva.

Ky i fundit dje për media ka mohuar se ka pasur kërkesë nga Molliqaj dhe Sami Kurteshi për ta vizituar Deharin në burg.

Molliqaj ka thënë se ekspertët e mjekët ligjorë të familjes Dehari nuk janë lejuar të ekzaminojnë provat e vdekjes së Astritit.

“Ekspertët e mjekëve ligjorë të familjes nuk janë lejuar me i ekzaminu provat qysh janë lejuar mjekët ligjorë nga prokuoria. Mjekët nga familja e kanë ekzaminuar trupin por dhe jo provat rreth vdekjes së Astriti”, ka deklaruar Molliqaj, përcjell “Zëri.info”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart