Veseli-McCain’it: FSK’në do ta transformojmë në koordinim me partnerët dhe SHBA’në


13/04/2017

Sipas njoftimit të Kuvendit, senatori amerikan ka thënë se Ushtria e Kosovës duhet të forcohet dhe të jetë pjesë e familjes së Aleancës Veriatlantike NATO, shkruan Gazeta Express. 

Nga ana tjetër, edhe Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar senatorin McCain për qëndrimin e qartë dhe mbështetës për ushtrinë e Kosovës dhe e ka siguruar se Prishtina zyrtare do të jetë në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët e saj për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Në takimin mes kryeparlamentarin Veseli dhe Senatorit McCain përveç për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është diskutuar edhe për luftën që ka bërë Kosova kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar senatorin McCain dhe SHBA-të për ndihmën e parezervë dhe mbështetjen e dhënë për popullin e Kosovës.

“Kosova sot është një storie e suksesit. Ne jemi të lirë dhe kemi ndërtuar institucione demokratike falë njerëzve si ju, që në momentet më të vështira e kanë mbështetur popullin e Kosovës. Kosova është një demokraci e re që qartazi aspiron integrimin në strukturat euro-atlantike dhe partneriteti me SHBA-të në këtë rrugëtim është jetik”, tha kryeparlamentari Veseli.

Senatori e falënderoi kryeparlamentarin për mikpritje dhe përgëzoi Republikën e Kosovës për të arriturat e deritashme ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e pa rezervë të SHBA-së për të ardhmen e Kosovës.

Senatori tha se Kosova ka bërë progres në shumë fusha, duke shtuar se Kosova duhet të angazhohet që të ndërtojë një partneritet për paqen në rajon, të angazhohet për fqinjësi të mirë dhe të punojë për një të ardhme edhe më të sigurt. /GazetaExpress/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart