Veliaj: Kam shitur fiq te Pazari i Ri, por jo predha si Luli në Gërdec


03/05/2015

Në fjalën e tij, Veliaj kritikoi kreun aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, se në mandatin e tij si kryebashkiak nuk ka bërë thuajse asgjë për kryeqytetin. Ai pati edhe një përplasje me një qytetar, i cili e ngacmoi për të shkuarën e tij. Veliaj iu përgjigj qytetarit se ai nuk bie pre e provokimeve dhe se nuk ka asnjë kompleks pse në rini ka shitur fiq te Pazari i Ri.

Sipas Veliajt, Basha premtoi shumë por në fakt çdo premtim i tiji ishte gënjeshtër. Sipas tij, në mandatin e Bashës janë zhdukur hapësirat e gjelbra, si edhe janë shtuar ndërtimet.

Sipas Veliajt, Basha nuk është banor i Njësisë Bashkiake nr. 8, por banor i Holandës. Veliaj shtoi se Tirana është kthyer në një qytet nga më të ndoturit në Europë, ndërsa premtoi reforma të thella për qytetin nëse fiton zgjedhjet.

“Jemi në këtë garë se e duam Tiranën; duam fëmijët e këtij qyteti. Kush bën fushatë rrenacake, edhe punën e ka të tillë – rrenacake. Nuk besoj te fushatat me kaseta të montuara. Ne duam ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur. Duhet t’i ftojmë në debat qytetarët, si edhe t’i themi atij djalit të lagjes që në fakt jeton në Holandë, të kthehet në lagje”, tha Veliaj.

I pyetur nga qytetarët për projektet që ka për të rinjtë, Veliaj tha se ai tashmë ka ngritur një qendër rinore, edhe pa e premtuar një gjë të tillë.

“Një gjë duhet ta sqarojmë. Nuk e premtova unë qendrën rinore edhe pse e bëra. Ndërkohë, ai djali i kësaj lagjeje, jo vetëm që nuk e bëri qendrën rinore, por premtoi nga një të tillë për çdo minibashki. Nuk jam këtu për të gjykuar, por ajo ndërtesë që morëm përdorej për prostitucion. Përditë, Enot me dy n, dilnin dhe flisnin për ndërtim pa leje. Shikoni se çfarë i kanë bërë digës së liqenit. Mirë që nuk bëjnë gjë, por as nuk të lënë të bësh ndonjë gjë”, theksoi Veliaj.

Kandidati i PS-së tha se ai nuk e bazon fushatën elektorale për bashkinë në gënjeshtra, por në premtime që shumë shpejt do të bëhen realitet.

Ndërkohë që Veliaj mbante fjalën e tij, një nga banorët ndërhyri dhe e ngacmoi për të shkuarën. Kandidati socialist, megjithatë, nuk nguroi t’i përgjigjej.

Ai tha se është ndryshe nga Basha dhe se bashkëbisedimet i bënë live dhe jo me kaseta të montuara. “Unë prandaj jam ndryshe se i bëj takimet live që të vish edhe ti”, i tha Veliaj qytetarit.

“S’kam kompleks nga jeta ime, as nga varfëria me të cilën jam rritur, as nga familja dhe as nuk kam vrarë njeri. Nuk kam kompleks që kam shitur fiq në Pazarin e Ri dhe as që kam ikur në këmbë në emigracion. Se çdo shqiptar i ndershëm, në kushte të vështira ka shkuar në emigracion. Të tallesh me ta është pafytyrësi. Familja ime s’ka dalë në jetë duke shitur predha. S’ka lënë njeri jetim si familja e atij.

Koha e tyre ka mbaruar. Koha e atyre që e mbajnë familjen me bukë duke vrarë njerëz në Gërdec. U themi: Rrugë të mbarë, por Tirana do të shkojë në drejtimin e duhur”, tha Veliaj.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart