Universiteti i Sheffield në Greqi ofron 55 bursa studimi për nivelin Bachelor, Master dhe PhD


21/05/2015

Për vitin akademik 2015/2016, Universiteti i Sheffield, CITY College në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës do të ofrojnë 55 bursa studimi për studentët kosovarë të niveleve Bachelor, Master (me orar të plotë), MBA (ekzekutive) dhe studime të plota të doktoratës dhe gradave kërkimore (me orar të plotë

Në nivelin Bachelor ofrohen 10 bursa të plota studimi (me mbulim 100% të shpenzimeve), si dhe 10 bursa tjera me 50% të mbulimit të shpenzimeve për studim. Studentët mund të zgjedhin të studiojnë Administrim Biznesi dhe Ekonomi, Shkenca Kompjuterike, Psikologji dhe Gjuhë Angleze.

Në nivelin Master ofrohen 10 bursa të plota studimi (me mbulim 100% të shpenzimeve), si dhe 15 bursa tjera me 50% të mbulimit të shpenzimeve për studim. Ndërsa në drejtimin MBA ofrohen 5 bursa studimi për sektorin publik, me 50% të mbulimit të shpenzimeve të studimeve. Për studimet e doktoratës – nivelin PhD, ofrohen 5 bursa të plota me 100% të mbulimit të shpenzimeve, në programin që zgjat 3 vjet.

“Përmes programit të bursave të plota për studime, në bashkëpunim me MASHT, ne jemi duke ofruar mundësi të reja dhe të jashtëzakonshme për studime akademike për të rinjtë kosovar, të cilët kanë ambicien dhe përkushtimin e duhur për arritje të reja akademik dhe profesionale. Qëllimi ynë është që përmes këtyre bursave të krijojmë kuadra të reja dhe akademik të rinj të cilët do të jenë përfaqësuesit dhe kontribuesit më të mirë për zhvillimin socio-ekonomik dhe institucional të Kosovës. Bursat e ofruara mbulojnë 100% dhe 50% të kostos së shkollimit në universitet” ka thënë Hana Hoxha, drejtuese e Universitetit të Sheffield, CITY College për Kosovë dhe Shqipëri.

Në kuadër të kësaj iniciative, CITY College synon të mbështesë shkollimin e studentëve të jashtëzakonshëm kosovar të cilët dëshirojnë të studiojnë në Fakultetin Ndërkombëtar të Universitetit të Sheffield, CITY College në Selanik dhe të pajisen me diplomë të njohur në tërë botën nga Universiteti i Sheffield. Studimet do të ofrohen në kampusin e Fakultetit Ndërkombëtar të Universitetit të Sheffield, CITY College në Selanik, Greqi.

Pranimi i të gjitha aplikacioneve për bursa do të bëhet nga Ministria e Arsimit (MASHT), ndërsa vlerësimi i aplikacioneve për bursa bëhet nga stafi akademik i Universitetit të Sheffield, CITY College. Afati i fundit për aplikim në programin e bursave të studimit për të gjitha nivelet e ofruara është data 22 qershor 2015.

Studimet në të gjitha programet e ofruara mbahen në gjuhë angleze. Për aplikantët që nuk i kanë kryer kualifikimet e TOEFL dhe IELTS, organizimi i testeve për gjuhën angleze do të organizohet nga universiteti në Prishtinë.

Universiteti i Sheffield është universitet lider në Mbretërinë e Bashkuar, që vazhdimisht radhitet në mesin e “100 Top Universiteteve në Botë”, “Top 10% të Universiteteve për Fuqi Kërkimore” dhe “Universiteti i parë për Satisfaksionin e Studentëve”. Universiteti i Sheffield është pjesë e 1% të “Universiteteve Më Të Mira në Botë”.

Për detaje të hollësishme për bursat, programet, drejtimet, nivelet akademike, dhe kriteret për secilin program të veçantë studimi, luteni që të klikoni në këtë link: http://goo.gl/imCkhE ose të kontaktoni direkt me zyrën përkatëse të City College në Prishtinë, apo MASHT.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart