​Trump e shpall Karolinën e Veriut ‘zonë fatkeqësie’


15/09/2018

Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën se Presidenti Donald Trump e shpalli Karolinën e Veriut “zonë fatkeqësie”. Ky vendim bën të mundur dhënien e fondeve dhe burimeve të tjera federale për përpjekjet e rimëkëmbjes nga stuhia.

Qendra Kombëtare për Uraganet tha se stuhia ka shkaktuar përmbytje katastrofike në Karolinën e Veriut dhe të Jugut. Agjencia për motin tha se ekziston mundësia për tornado në pjesën juglindore të Karolinës së Veriut dhe verilindje të Karolinës së Jugut.

Guvernatori i Karolinës së Veriut Roy Copper tha se “Florence” mund të shkatërrojë komunitete të tëra.

load

Uragani e uli fuqinë, në një stuhi tropikale kur goditi Karolinën e Veriut, nga uragan i kategorisë së parë me erëra shkatërruese dhe shira të rrëmbyer, duke shkaktuar të paktën pesë të vdekur.

Policia në Uillmington tha se një nënë dhe foshnja e saj humbën jetën, kur një pemë u rrëzua mbi shtëpinë e tyre. Një tjetër grua humbi jetën nga infarkti, ndërsa ambulancat nuk arritën dot shpejt tek ajo, si rezultat i pemëve të rrëzuara. Një 78 vjeçar e zuri korenti, ndërsa përpiqej të lidhte kabllot elektrike në shi. Një tjetër person humbi jetën kur erërat e forta e përplasën, ndërsa po kontrollonte për qentë e tij.

Qendra Kombëtare për Uraganët tha se stuhia po ecën me ngadalë në brendësi me erëra të qëndrueshme që kapin shpejtësinë 80 kilometra në orë. Nga mbrëmja e së premtës, epiqendra e stuhisë ishte zhvendosur në Karolinën e Jugut. Lëvizja e ngadaltë e stuhisë, dhe jo forca e saj, është ajo që po shqetëson parashikuesit e motit dhe zyrtarët.

Qindra njerëz në Karolinën e Veriut janë shpëtuar nga niveli i rritur i ujërave. Autoritetet thonë se kanë marrë më shumë se 150 telefonata vetëm në qytetin historik “New Bern” për të shpëtuar njerëz, pasi në shtëpitë e tyre kishte hyrë uji. Qendra e uraganeve parashikon deri në 101 centimetra shi për disa pjesë të Karolinës së Veriut.

Të shtunën, stuhia me erëra me fuqi 75 kilometra në orë, arriti në Karolinën e Jugut, në pjesën lindore të shtetit, rreth 85 kilometra në perëndim të qytetit-rezort “Myrtle Beach”.

Florence pritet të dobësohet të shtunën në mbrëmje, gjatë lëvizjes në brendësi të kontinentit./VOA

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart