​“Terroristët” e Dobrosinit – nga 60 vite dënim me burgim, lirohen krejtësisht nga akuzat - Gazeta Express

​“Terroristët” e Dobrosinit – nga 60 vite dënim me burgim, lirohen krejtësisht nga akuzat

06/12/2017 17:06

Valon Jashari, Skënder Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiti, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani, janë liruar nga akuzat për terrorizëm, të mërkurën nga Gjykata Themelore e Gjilanit. 10 gjilanasit që për pesë vite u akuzuan se si pjesë e grupit “Lëvizja e Lirisë” kishin kryer një sulm terrorist ndaj një pike kontrolli të policisë serbe, në Dobrosin të Bujanocit. 

Sipas aktakuzës ndaj tyre, grupi në fjalë i njohur edhe si “Grupi i Dobrosinit” akuzoheshin se sulmin me armë automatike ndaj policisë serbe, në territorin e tyre, të kryer në vitin 2012, e kishin bërë më qëllim që të detyronin shtetin e Serbisë që të ndërpriste veprimtarinë politike në rajonin e Bujanocit, dhe më qëllim që në atë pjesë të vendosej për kontrolle prania e forcave ndërkombëtare. 

Megjithatë, Prokuroria e EULEX’it në rigjykimin e këtij rasti nuk ka arritur të bindë trupin gjykues, me provat e administruara në gjykatë, që gjilanasit të shpallen fajtorë. Gjykata Themelore e Gjilanit i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit, duke refuzuar pretendimet e prokurorisë se ky grup ka kryer sulmin terrorist, në të cilin ishte lënduar një pjesëtar i policisë së Serbisë. 

I njëjti grup, nga e njëjta gjykatë, në vitin 2013 ishin dënuar më 60 vite burgim gjithsej. Valon Jasharit i ishin shqiptuar 9 vite burgim unik, Skënder Jashari me 8 vite burgim unik, Gazmenda Lakna më 5 vite e 6 muaj, Gazmend Xhymshit më 6 vite e 6 muaj, Qëndrim Rexhaj me 5 vite e 6 muaj burgim, Muhamed Aliu më 5 vite e 6 muaj burgim, Skender Selmani me 5 vite e 6 muaj burgim, Enver Musolli me 6 vite e 6 muaj burg, Abdullah Zogaj me 5 vite 6 muaj burg si dhe Jeton Selmani ishte dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim. Por, “Grupi i Dobrosinit” u kthye në rigjykim me vendim të gjykatës Supreme, prillin e vitit 2016. 

Gjykata Supreme kishte vlerësuar se gjatë gjykimit në themelore të grupit të Dobrosinit ka pasur shkelje gjatë procesit gjyqësor. 

Sulmi në piken e kontrollit të policisë serbe në Dobrosin të Bujanocit ishte kryer tre herë rresht, në periudha të ndryshme kohore, mes datave 17 maj dhe 7 tetor 2012. 

Përgjegjësinë për sulmin e kishin pranuar i ashtuquajturi grupi “Lëvizja e Lirisë”. Pak kohë pas sulmit të fundit, me urdhër të Prokurorisë së EULEX’it ishin arrestuar 10 të dyshuarit që më pas u ngrit aktakuzë ndaj tyre. 

Të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje gjatë gjithë kohës. Një pjesë e tyre, gjyqtari bëri të ditur se një gjë të tillë e kanë bërë edhe gjatë periudhës hetimore, dhe në kohen e arrestimit. 

Po ashtu, gjatë rigjykimit 10 gjilanasit janë mbrojtur në liri, pasi supremja në vendimin e saj për rigjykim u kishte ndërprerë vuajtjen e dënimit. /M.Gj./GazetaExpress/.