Telefonata Trump-Erdogan që çoi në tërheqjen e SHBA-së nga Siria, pas së cilës dha dorëheqje James Mattis


22/12/2018

Madje, Trump habiti kabinetin e tij, ligjvënësit dhe pjesën më të madhe të botës duke e mohuar këshillën e ndihmësve të tij të lartë dhe duke rënë dakord për një tërheqje, në një telefonatë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan javën e kaluar – i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë dhe një zyrtar turk mediumit prestigjioz The Associated Press.

Po sipas këtij mediumi, përcjell Telegrafi, telefonata e 14 dhjetorit, e përshkruar nga zyrtarët që nuk ishin të autorizuar për të diskutuar publikisht procesin e vendimmarrjes dhe folën në kushte anonimiteti, siguron një pasqyrë të një vendimi pasues të Trumpit e cila madje edhe nxiti dorëheqjen e sekretarit të mbrojtjes gjerësisht të respektuar James Mattis.

Një telefonatë e tillë, siç thuhet më tej, gjithashtu nxiti një përpjekje të furishme, katër-ditore për ta bindur presidentin që ta kthente ose të vononte vendimin.

Gjithsesi, siç shkruan AP, Shtëpia e Bardhë refuzoi përshkrimin e telefonatës nga zyrtarët.

“Në asnjë mënyrë, raportimi në këtë histori nuk është i vërtetë”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Garrett Marquis. “Është e qartë nga konteksti se ky version i ngjarjeve është nga burimet që nuk kanë autoritet mbi këtë temë, ndoshta nga burime të paidentifikuara në Turqi”.

Gjithashtu, sipas AP, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni refuzuan të komentojnë mbi vendimin për tërheqjen e trupave që kanë qenë në Siri për të luftuar Shtetin Islamik që nga viti 2015.

Mediumi prestigjioz shkruan se pavarësisht humbjes fizike të kalifatit, mijëra luftëtarë të ISIS-it mbesin në Irak dhe Siri dhe grupi vazhdon të kryejë sulme kryengritëse dhe mund të kthehet lehtësisht në territorin, të cilin një herë e kishte nën kontroll, nëse forcat amerikane tërhiqen.

Thirrja e 14 dhjetorit, shkruan tutje AP, erdhi një ditë pasi Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe homologu i tij turk Mevlut Cavusoglu ranë dakord që dy presidentët të diskutojnë kërcënimet e Erdoganit për të nisur një operacion ushtarak kundër rebelëve kurdë të mbështetur nga SHBA në Sirinë veri-lindore, ku bazohen forcat amerikane.

Madje, Pompeo, Mattis dhe anëtarët e tjerë të ekipit të sigurisë kombëtare përgatitën një listë të pikave të bisedimeve për Trump për t’i thënë Erdoganit të tërhiqet, thanë zyrtarët.

Nga e majta, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis dhe këshilltari i sigurimit kombëtar John Bolton

Por zyrtarët thanë se Trump, i cili më parë kishte pranuar këshilla të tilla dhe e bindte udhëheqësin turk që të mos sulmonte kurdët dhe të vinte trupat e SHBA në rrezik, injoroi skenarin. Në vend të kësaj, presidenti mbështeti Erdoganin.

Kështu, në ditët në vijim, Trump mbeti i palëvizur nga ata që përpiqen për ta bindur atë që të kthejë ose të paktën të vonojë vendimin për t’i dhënë kohë ushtrisë dhe forcave kurde për t’u përgatitur për një tërheqje të rregullt.

“Pikat e diskutimit ishin shumë të qëndrueshme”, tha një nga zyrtarët, duke shpjeguar se Trump ishte këshilluar që të kundërshtonte qartë një inkursion turk në Sirinë veriore dhe sugjeronte që SHBA dhe Turqia të punonin së bashku për të adresuar shqetësimet e sigurisë.

“Të gjithë thanë të shtyjnë dhe të përpiqen të ofrojnë diçka (për Turqinë) që është një fitore e vogël, ndoshta duke mbajtur territor në kufi, diçka të tillë”.

Erdogan, megjithatë, e vuri shpejt Trump në defenzivë, duke i kujtuar atij se ai kishte thënë në mënyrë të përsëritur se arsyeja e vetme për trupat e SHBA-ve ishte të mposhtnin Shtetin Islamik dhe se grupi ishte mundur 99 për qind.

“Pse jeni ende atje?” ka thënë një zyrtar tjetër, t’i ketë thënë Erdogan, Trumpit, duke i thënë atij se turqit mund të merren me militantët e mbetur të ISIS-it.

Me Erdoganin në linjë, Trump ka pyetur këshilltarin e sigurimit kombëtar John Bolton, i cili po dëgjonte: Pse trupat amerikane mbetën në Siri nëse ajo që presidenti turk po thoshte ishte i vërtetë?, sipas zyrtarëve.

Pika e Erdoganit, që Bolton u detyrua të pranonte, ishte mbështetur nga Mattis, Pompeo, i dërguari i posaçëm i SHBA për Sirinë, Jim Xhefri, dhe i dërguar i posaçëm për koalicionin anti-ISIS, Brett McGurk, të cilët kanë thënë se ISIS mbajnë vetëm 1 për qind të territorit të saj, thanë zyrtarët.

Bolton theksoi, megjithatë, se i gjithë ekipi i sigurisë kombëtare ra dakord që fitorja mbi ISIS duhet të jetë e qëndrueshme, që do të thotë më shumë se vetëm marrja e territorit.

Trump nuk u përpoq, sipas zyrtarëve, i cili tha se presidenti shpejt kapitulloi duke u zotuar të tërhiqej, duke tronditur Boltonin dhe Erdoganin.

Madje, në atë rast thuhet se edhe Erdogan ishte gjendur në befasi, duke paralajmëruar Trumpin kundër një tërheqjeje të nxituar, sipas një zyrtari.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shtrëngon duart me Rexhep Tajip Erdogan, president i Turqisë, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C

Kjo pasi që, edhe pse Turqia ka bërë inkursione në Siri në të kaluarën, nuk ka forca të nevojshme të mobilizuara në kufi për të lëvizur dhe për të mbajtur pjesë të mëdha të Sirisë verilindore ku trupat e SHBA janë të pozicionuara, tha zyrtari.

Siç shkruan tutje AP, përcjell Telegrafi, telefonata përfundoi me Trumpin duke i përsëritur Erdoganit se SHBA do të tërhiqej, por duke mos ofruar asnjë specifikë se si do të bëhej, thanë zyrtarët.

Kështu, gjatë fundjavës, ekipi i sigurimit kombëtar nxitoi të dalë me një plan që do të ndryshonte, vononte ose disi kufizonte efektet e tërheqjes, thanë zyrtarët.

Të hënën, Bolton, Mattis dhe Pompeo u takuan në Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për të komplotuar një kurs të mesëm.

Por atyre u tha nga shefi në largim i stafit John Kelly dhe pasardhësi i tij Mick Mulvaney se Trump ishte i vendosur të tërhiqej dhe nuk duhej të vonohej ose të mohohej, sipas zyrtarëve.

Treshja u takua përsëri të martën në mëngjes për t’u përpjekur të shpëtojë gjërat, por u kundërshtua përsëri, thanë zyrtarët.

Shtëpia e Bardhë donte të shpallë vendimin të martën – dhe sekretarja e shtypit Sarah Sanders planifikoi një konferencë të rrallë në mënyrë specifike për ta njoftuar atë.

Por Pentagoni e bindi Trumpin që të priste, sepse planet e tërheqjes nuk ishin të plota dhe aleatët dhe Kongresi nuk ishin njoftuar ende, sipas zyrtarëve. Vendi i parë, përveç Turqisë, që duhej njoftuar për tërheqjen e afërt ishte Izraeli, thanë zyrtarët.

Fjala e tërheqjes së menjëhershme filloi të shpërndahej herët të mërkurën pasi shefi i komandës qendrore të SHBA-së, gjenerali Joseph Votel filloi të informojë komandantët e tij në terren dhe kurdët rreth vendimit.

Pas njoftimit zyrtar, Shtëpia e Bardhë theksoi se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin luftën kundër ISIS dhe mbeten të gatshme të “ri-angazhohen” kur është e nevojshme. Por në një cicërimë në Twitter, presidenti tha se trupat e SHBA-së nuk do të luftonin më ISIS-in në emër të të tjerëve.

“Koha për t’u përqendruar në vendin tonë dhe të sjellim rininë tonë në shtëpinë të cilës ata i përkasin!”, kishte shkruar presidenti amerikan, Donald Trump.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart