Të burgosurit kosovarë vuajnë nga zemra, frymëmarrja e stresi


28/10/2018

Sëmundjet kryesore nga të cilat vuajnë të burgosurit po del të jenë ato të zemrës, frymëarrjes dhe lëkurës. Ndonëse ka edhe të atillë që vuajnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe infektive, e që numri është kogja i lartë.

Vetëm për çrregullime kardiovaskulare, respiratore dhe sëmundje të lëkurës, nëpër burgje janë paraqitur rreth 2 mijë raste. Për gjithë këto raste të sëmundjeve, nëpër burgjet e Kosovës janë kryer 28 mijë e 305 shërbime mjekësore për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Rrjedhimisht i bie që secili i burgosur është vizituar së paku 13 herë nga mjeku gjatë vitit, shkruan Gazeta Express.

Tërë kjo sipas raportit të Departamentit Shëndetësor në Burgje, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sa i përket 10 sëmundjeve të cilat përcillen vazhdimisht në institucionet korrektuese gjendja ka qenë si vijon: Neuroza 1 mijë e 148 raste, psikoza 214 raste, çrregullime kardiovaskulare 619 raste, çrregullime respiratore 917 raste, çrregullime gastrointestinale 931 raste, sëmundje të lëkurës 369 raste, sëmundje seksualisht të transmetueshme pesë raste, sëmundje të traktit lokomotor 949 raste dhe sëmundje infective të ndryshme 37 raste”, thuhet në raportin e DBSH’së për gashtëmujorin e parë të këtij viti.

Por, përveç sëmundjeve, të burgosurit po del të jenë edhe përdorues të drogave, alkoolit e duhanit.

Vetëm për gjashtë muaj, në burgje janë pranuar 1 mijë e 257 duhanpirës, 166 përdorues të alkoolit dhe 240 përdorues të drogave.

Ndërsa, sa i përket sëmundjeve ku të burgosurit kanë qenë më të rrezikuar , janë rastet e tuberkulozit, hepatit dhe HIV/AIDS 2.

“Sa i përkon tri sëmundjeve specifike dhe ku të burgosurit karakterizohen si kategori rreziku kemi pasur TBC 4 raste të ardhura me infeksion, HBV dhe HCV 15 raste, HIV/AIDS 2 raste, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë epidemic”, thuhet në raport.

E disa prej të burgosurve nuk arritën tu bëjnë ball këtyre sëmundjeve.

Vetëm këtë vit dy të burgosur kanë ndërruar jetë në qelitë e tyre, sa ishin duke e vuajtur dënimin. Ndërsa, që nga e 99-ta, nëpër burgjet e Kosovës kanë vdekur 58 persona.

E si arsyet kryesore se pse ka rritje të rasteve të vdekjeve nëpër burgje, në raport thuhet se është plakja e të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm dhe sëmundjet nga të cilat vuajnë të burgosurit.

“Rritja e vdekjeve në burg mund të karakterizohet si pasojë e plakjes së popullatës së të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm, moslimitimi i moshës në burgje dhe shkaqe të tjera nga sëmundshmëria si dhe pezullimi i disa ndërprerjeve të përkohshme për shkaqe shëndetësore, marrje e shërbimeve shëndetësore jashtë institucioneve publike të vendit”, thuhet në raportin vjetor të DSHB-së.

Ndërkohë, në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë thënë se aktualisht prapa grilave janë 1 mijë e 569 persona. Prej tyre janë 48 gra.

Zyrtari për Informim në SHKK, Jeton Kabashi, i ka thënë Gazetës Express se shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë në rreth 28 euro në ditë.

“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, ka thënë Kabashi.

Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.

E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.

Të gjithë këta të burgosur ushqehen tri herë në ditë. Kabashi thotë se menyja ditore u ndërrohet çdo muaj. Por, ata gjithherë ushqehen nga produkte të mishit, pemë, perime.

“Nëpër burgje ekziston menyja ditore e cila ndërrohet çdo muaj, ku të burgosurit ushqehen tri herë në ditë me ushqime të ndryshme nga produktet e mishit, me pemë e perime, lëngje nga frutat e çaja të ndryshëm”, thuhet në përgjigjet e Kabashit drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, Kabashi ka thënë se numri më i madh i këtyre personave janë të arrestuar për vjedhje, vrasje e plaçkitje. Nuk mungojnë edhe personat që janë duke e vuajtur dënimin për dhunim, plagosje e drogë.

Vetëm për vjedhje në vuajtje të dënimit janë 254 persona, gjersa mbi 50 të tjerë gjenden në paraburgim.

“Në kuadër të institucioneve korrektuese për momentin janë duke vuajtur dënimin për veprat penale të vjedhjes 254 persona, ndërsa po për këto vepra në paraburgim për momentin ndodhen gjithsej 51 persona”, kanë thënë nga SHKK-ja, ditë më parë për Gazetën Express.

Aktualisht, dënimi më i lartë i cili vihet nëpër burgjet e Kosovës është ai me 40 vjet heqje lirie. /Gazeta Express.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart