Tahiri: S’ka Asociacion derisa Serbia ndërton mure


27/12/2016

“Nuk është Serbia ajo që imponon data ose që mund të bëjë presion“, tha Tahiri.

Ajo tha se Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin është një marrëveshje ndërkombëtare “me kompetencë ekskluzive të Republikës së Kosovës dhe se zbatimi i saj mund të pritet kur të hiqet muri në Mitrovicën e veriut”.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën, dhe pas bisedës së përbashkët u tha se nëse “gjatë javëve në vijim nuk bëhen hapa konkret drejt krijimit të Asociacionit, përfaqësuesit e serbëve do ta krijojnë Asociacionin vet më 15 Janar dhe do të dakordohen rreth përgjegjësive të saj“.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ndërkaq tha se në “kohën kur Serbia në Kosovë ngre mure Asociacioni nuk mund të krijohet“.

Ajo ka bërë me dije se Serbia për gjashtë vjet ka shtyrë zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik dhe vazhdon të bllokojë „marrëveshjen për energjetikën si dhe po mban një pjesë të strukturave paralele komunale në Kosovë”.

“Shkelja e fundit është ngritja e murit në Mitrovicë“, tha Tahiri.

“Porosia ime për ta është që fillimisht ta rrënojnë murin dhe të mos shkelin marrëveshjen e Brukselit. Në momentin kur të krijohet klima dhe kur të shihet se Serbia vërtetë po zbaton marrëveshjet, atëherë edhe Kosova do ta marrë përgjegjësitë dhe do të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin”, tha ajo.

E gjithë udhëheqja politike e Kosovës, ka vijuar Tahiri, ka vërtetuar se krijimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar.

“Por, ne po kërkojmë momente të përshtatshme që kjo marrëveshje të zbatohet. Në rrethana të këtilla, kur është ngritur muri që ka shkaktuar tensione dhe kërcënon me përshkallëzim, nuk është momenti për një gjë të tillë. E gjithë vëmendja e shtetit është përqendruar në heqjen e këtij muri“, tha Tahiri.

Ajo tha se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin „e bën të qartë se Asociacioni nuk ka përgjegjësi ekzekutive dhe as që do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, por do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Procesi i hartimit të statutit nuk ka filluar ende por edhe kur të fillojë statuti d të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2015“, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë. (REL)

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart