Specialja po trajton edhe një rast tashmë të gjykuar nga ndërkombëtarët në Kosovë


11/12/2018

Vetëm pak ditë pasi Gazeta Express ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale ka dërguar ftesat e para për intervistim të njerëzve të luftës në Kosovë, burime të njëjta të gazetës kanë konfirmuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po heton një rast të gjykuar më parë në Kosovë. 

Rasti në fjalë, ka pasur një gjykim të gjatë në Kosovë, të përcjellë me shumë bujë. Në të janë gjykuar një grup pjesëtarësh të UÇK-së, përfshirë në ish-komandantë lufte. 

Që të gjithë, në fund të procesit, sipas një gjykatë vendore, kanë dalë të pafajshëm. Këtë, në fund e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme. 

Aktakuza e ngritur në Kosovë rreth këtyre krimeve të supozuara, ishte ngritur nga prokurorë ndërkombëtarë, pjesë e një misioni të huaj në Kosovë. Sikurse, edhe pjesë e trupit gjykues kanë qenë gjyqtarët ndërkombëtarë që kanë funksionuar si pjesë e një misioni në Kosovë. 

Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk ka pranuar të komentojë asgjë rreth këtij hetimi, sikurse as nëse shkelen parimet e së drejtës penale – ndërkombëtare në rast të rihapjes së një rasti, ndaj të njëjtëve individë, të gjykuar më parë për të njëjtat lëndë. 

“Për arsye profesionale, etike dhe ligjore, Zyra e Prokurorit Special nuk flet për statusin e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e shkurt të zëdhënësit të ZPS-së Christopher Bennett. 

Tutje, ai vetëm ka përsëritur se “Zyra e Prokurorit Special vepron në bazë të Ligjit të Veçantë të Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special”. 

Gazeta Express, për t’iu përmbajtur konfidencialitetit të fazës së hetimit, nuk do të zbulojë më shumë detaje rreth këtij rasti. 

Ndryshe, T7 dhe Gazeta Express në tetor të këtij viti kishin raportuar se ish-udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, në fund të muajit korrik, gjatë qëndrimit në Kosovë, por që ishte takuar me krerë të sistemit të drejtësisë, ai nuk është kthyer duarthatë për në Hagë

Me vete, sipas këtyre raportimeve, ai kishte marrë edhe disa lëndë nga Gjykata Themelore në Prishtinë e Prizren, që kanë të bëjnë me krime lufte. Në mesin e atyre lëndëve që janë marrë për në Hagë, ka pasur edhe raste që tashmë kanë përfunduar në Kosovë. 

Dy muaj pas këtij raportimi, javën e kaluar Gazeta Express ka konfirmuar se Prokuroria e Gjykatës Speciale ka nisur të ftojë për intervistim një grup ish-pjesëtarësh të UÇK-së. Në mesin e tyre edhe dy njerëz të rëndësishëm në hierarkinë e këtij grupi ushtarak që luftuan për Çlirimin e Kosovës, gjatë fundviteve ’90. 

Vetëm pak minuta pas raportimit të parë të gazetës, Avokati Arianit Koci, të enjten mbrëma, ka konfirmuar se klienti i tij Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është njëri prej tyre. 

Një ditë më pas, Gazeta Express raportoi se edhe një tjetër figurë e rëndësishme e UÇK’ së do të intervistohej për krime lufte. Të hënën, Sokol Dobruna konfirmoi në emisionin “Pressing” në T7, se bëhej fjalë për të

“Më 12 ma ka caktu termini kur duhet me u paraqit […] Unë supozoj se mund të jem qoftë dëshmitar qoftë i akuzum, por nuk e di pse duhet me qenë”, tha ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UCK-së. 

Tutje, ai në T7, tha se UÇK-ja nuk ka kryer asnjë krim, sikurse as gjykata që ai ka drejtuar në luftë nuk ka lejuar asnjë ekzekutim, edhe pse kishte të dënuar

“Jo nuk kam kryer krime. Kuptohet se do të bashkëpunoj, por në çfarë rrafshi në çfarë aspekti nuk e di”, tha ai.

Të martën, në media është zbuluar edhe emri i personit të pestë të ftuar nga Specialja për intervistim. 

Nazif Mehmeti, ish-komandant i policisë ushtarake në Llap, sipas avokatit të tij, Tahir Rrecaj do të japë dëshminë e tij më Hagë më 22, 23 dhe 24 janar të vitit të ardhshëm

Mehmeti, sikurse ish-eprori i tij ushtarak, Rrustem Mustafa në Kosovë janë dënuar për krime lufte në rastin e njohur si “Grupi i Llapit”. Bashkë më ta ishin dënuar edhe Latif Gashi dhe Naim Kadriu – tashmë i ndjerë. 

“Grupi i Llapit” ishin dënuar për urdhërimin dhe pjesëmarrjen në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që ata të paraburgosur të detyrohen të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.

Gjykata Speciale ftesë i ka dorëzuar edhe ish-komandantit të zonës së Drenicës Sami Lushtaku, po ashtu i liruar në Kosovë, nga akuzat për krime lufte. Në fakt, Lushtaku ishte shpallur fajtor nga një Gjykatë Themelore në Kosovë, por ishte liruar vitin e kaluar nga Gjykata Supreme. 

Pos disa prej figurave të rëndësishme të UÇK-së, Gazeta Express javën që shkoi ka raportuar se Prokuroria e Gjykatës Speciale ka ftuar për intervistim edhe dy ish-ushtarë tjerë të thjeshtë të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin. 

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur. 

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Këai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjedh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE dhe udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX-it. /M.Gj./GazetaExpress/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart