Sonte zhvillohet Oscars 2019, gjithçka që duhet të dini për evenimentin më të madh në industrinë e filmit


24/02/2019

Është mbrëmja më e madhe dhe më magjepsëse e vitit në industrinë e filmit që josh vëmendjen e miliona njerëzve anekënd botës, të cilët presin me kërshëri se cilët do të jenë fituesit e statujave të arta që njihen si ‘Oscar’.

Më poshtë, keni gjithçka që duhet të dini lidhur me ceremoninë e sivjetme të Academy Awards:

Kur mbahet ceremonia e Oscars

‘Academy Awards 2019’ zhvillohet të dielën mbrëma më 24 shkurt (në orët e para të të hënës me kohën tonë, ndërsa fillimi i ndarjes së çmimeve pritet të jetë rreth orës 2:00 të mëngjesit).

Kohëzgjatja e ceremonisë

I gjithë spektakli i ndarjes së çmimeve pritet të zgjatë deri në tre orë, ashtu që pritet të mbarojë rreth orës 5:00 të mëngjesit me kohën tonë. Sidoqoftë, këtë vit mund të zgjasë pakëz më shumë kur kihet parasysh se do të ndahen 24 çmime dhe do të ketë më shumë performanca në skenë.

Nominimet për Oscar

Filmi nga Netflix, “Roma” dhe “The Favorite”, udhëheqin me nga 10 nominime secili. “Black Panther” bëri histori si filmi i parë me superheronj që nominohet për çmimin kryesor “Filmi më i mirë”.

Ndërkohë që “A Star is Born” me protagonistë këngëtaren Lady Gaga dhe Bradley Cooper, ka arritur po ashtu të jetë i nominuar në disa kategori.

Mungesat e rëndësishme në listën e nominimeve

Derisa Bradley Cooper është përfshirë në disa nominime me filmin “A Star is Born”, ekspertët besojnë se ai është dashur të nominohet në kategorinë për Regjisorin më të mirë.

Drama biografike britnaike, “Mary Queen of Scotts”, po ashtu mungon në kategoritë kryesore, sidomos për aktorët më të mirë, duke i lënë jashtë konkurrimit Margot Robbie dhe Saoirse Ronan.

Po ashtu, të mosvlerësuar konsiderohen edhe Timothee Chalamet (“My Beautiful Boy”), Claire Foy (“First Man”), Ethan Hawke (“First Reformed) e Toni Collette (“Hereditary”).

Ku mbahet ceremonia

Spektakli i sivjetmë i Academy Awards do të mbahet përsëri në Dolby Theatre (më herët i njohur si Kodak Theatre) në Hollywood Boulevard të Los Angelesit.

Si do të funksionojë spektakli pa një nikoqir

Aktori dhe komiku Kevin Hart u tërhoq nga prezantimi i Oscars pas kritikave për komente homofobike në të kaluarën. Akoma nuk dihet se si do të funksionojë spektakli pa një nikoqir dhe është hera e parë pas 30 vitesh që Akademia ka vendosur ta mbajë evenimentin pa një prezantues kryesor.

Sipas The Hollywood Reporter, organizuesit e spektaklit kanë vendosur që t’i grumbullojnë disa yje të filmave “Avengers”, si Robert Downey Jr, Chris Hemsworth, Scarlett Johansson, Mark Ruffalo, Chris Evans, Chadwick Boseman, Samuel L Jackson – së bashku me yllin e DC, Jason Momoa dhe atë të X-Men, James McAvoy – për ta plotësuar hapësirën ndërmjet ndarjes së çmimeve dhe segmenteve muzikore.

Brie Larson, Charlize Theron, Emilia Clarke, Awkwafina, Constance Wu, Tina Fey, Amy Poehler, Daniel Craig, Javier Bardem, Whoopi Goldberg, Jennifer Lopez, Laura Dern, Maya Rudolph, Angela Bassett, Amandla Stenberg, Melissa McCarthy, Sarah Paulson e Tessa Thompson – janë disa prej yjeve që do t’i shohim në skenën e Oscars, ndërkohë që janë edhe shumë emra të tjerë që do të prezantojnë çmime të ndryshme.

Yjet që do të performojnë gjatë spektaklit

Gjatë evenimentit, në skenë do të interpretojnë të nominuarit për këngën më të mirë origjinale:

Lady Gaga dhe Bradley Cooper do ta interpretojnë hitin “Shallow” nga “A Star Is Born”.
Jennifer Hudson do ta këndojnë projektin e Diane Warren, “I’ll Fight”, nga “RBG”.

Bette Midler do ta këndojë “Where The Lost Things Go” nga filmi “Mary Poppins Returns” (e kënduar nga Emily Blunt në film).

Kantautorët Gillian Welch dhe David Rawlings do ta këndojnë baladën e tyre “When A CoWboy Trades His Spurs For Wings” nga “The Ballad Of Buster Scruggs” (të kënduar në film nga Tim Blake Nelson).

Kendrick Lamar dhe SZA janë të vetmit të nominuar në kategorinë e këngës më të mirë, të cilët nuk e kanë konfirmuar nëse do të interpretojnë në skenë. Ata janë të nominuar për këngën “All The Stars” nga filmi “Black Panther”.

Njëherësh do të ketë një performancë të veçantë nga “Queen” dhe Adam Lambert, ndërsa Gustavo Dudamel dhe Filarmonia e Los Angeles it do të performojnë në sektorin “In Memoriam”.

Favoritët e këtij viti

Rami Malek luajti rolin e Freddie Mercuryt në filmin “Bohemian Rhapsody” (Foto: Gareth Cattermole/Getty Images/Guliver)

Dueti i Lady Gaga dhe Bradley Cooper, “Shallow”, është favorit i madh për ta fituar Oscarin në kategorinë kënga më e mirë origjinale. Mirëpo, është vështirë të përcaktohen favoritët në kategoritë tjera.

Një konkurrencë e madhe është në kategorinë për filmin më të mirë, duke qenë se filma të ndryshëm kanë fituar në ceremonitë tjera të mëdha.

Garën për regjisorin më të mirë e udhëheq Alfonso Cuaron (“Roma”), pasi tashmë e ka fituar këtë çmim në “Golden Globes”, “Director’s Guild Awards”, “Critic’s Choice Awards” dhe në “Bafta”.

PAs triumfeve në “Golden Globes”, “SAG awards” dhe “Bafta”, Rami Malek konsiderohet favorit për ta fituar çmimin e aktorit më të mirë për portretizimin e Freddie Mercury, por Christian Bale (me rolin e Dick Cheney) do t’i bëjë konkurrencë të madhe.

Glenn Close pritet ta mposhtë Lady Gagan në kategorinë për aktoren më të mirë, mirëpo nuk duhet anashkaluar edhe konkurrenca e Olivia Colman.

Fituesit rekord të çmimeve Oscar
Ylli i filmit, Katharine Hepburn (1907 – 2003) ka fituar katër çmime Oscar (Foto: Keystone/Getty Images/Guliver)

Walt Disney udhëheq me 26 çmime Oscar të fituar, por duke qenë producent prapa shumë filmave të Disney, nuk është befasi që ai është rekorderi. Katharine Hepburn ka fituar më së shumti çmime si aktore – katër sosh, ndërsa pas saj ndodhen Jack Nicholson, Daniel Day Lewis dhe Walter Brennan – me nga tri çmime Oscar. /Telegrafi/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart