Skandali "Panama Papers", Prokuroria i kthen kallëzimin policisë: Provoni lidhjen e parave me një krim


19/04/2016

Burime jozyrtare nga organi i akuzës kanë thënë se pas marrjes në shqyrtim të materialit kallëzues të mbërritur në datën 5 prill 2016, grupi i hetimit ka arritur në përfundimin se nevojiten më shumë prova e fakte për të vazhduar më tej procedurën. Për këtë arsye, referimi për ndjekje penale me akuzën e “pastrimit të parave” ndaj biznesmenit Ismail Mulleti është rikthyer në polici.

“Panorama” shkruan sot se Prokuroria thekson se kërkesat e ligjit janë që veç lëvizjes së parave dhe skemës së përdorur për këtë qëllim, duhet të provohet se shumat e transferuara kanë ardhur apo janë krijuar nga një vepër penale. Vetëm në këtë rast sipas Prokurorisë, mund të fillohet ndjekja penale për akuzat e “pastrimit të parave”.

Organi i akuzës ka thënë se materiali referues i policisë, përmbante disa pasqyra financiare të lëvizjeve të parave nga kompanitë e Ismail Mulletit. Po kështu në referim tregohej koha e themelimit të tri kompanive dhe vendndodhja e selive të tyre.

Mirëpo, sipër organit te akuzës, vepra e pastrimit të parave sipas ligjit shqiptar kërkon identifikimin patjetër të veprës penale me të cilat është krijuar shuma në fjalë. Për këtë arsye, prokuroria ia ka kthyer Policisë së Shtetit për plotësim kallëzimin e bërë në datën 5 prill 2016 në lidhje me skandalin financiar “Panama Papers”.

Sipas Policisë, biznesmeni Ismail Mulleti, i cili aktualisht nuk gjendet në Shqipëri ka dalë nga vendi me një linjë ajrore drejt Turqisë në datën 14 mars 2016. Policia ka përcjellë në kallëzim edhe informacione në lidhje me ortakët që kanë pasur apo që janë në lidhje me bizneset e Ismail Mulletit.

Përveç biznesmenit 52-vjeçar të njohur në Shqipëri për aktivitetin e tij pas viteve ’90, në hetim janë edhe ortaku i tij izraelit Assaf Halkin dhe një shtetas zviceran. Hetimi ka përfshirë ndërkohë edhe tri kompani që Ismail Mulleti dhe ortakët e tij kanë pasur në Shqipëri.

Kompanitë për të cilat hetuesit kanë mbledhur dje informacion janë “GFI Techonologies”, themeluar në 2013, “Egnatia export-import”, krijuar në 1995 dhe “IMAH”. Përveç dokumentacionit ligjor në lidhje me aktivitetin, kohën e krijimit, zyrat etj., për këto tri kompani policia ka mbledhur informacione në lidhje me aktivitetin bankar dhe transfertat financiare brenda e jashtë vendit.

Gazeta izraelite “Haaretz” ka zbuluar se avokati Assaf Halkin, bashkë me Ismail Mulletin, krijuan firmën kanadeze “Global Fluids International” pronare e kompanisë GFI Technologies, e regjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguillas. Pak muaj pas themelimit, GFI Technologies, në bashkëpunim me një shoqëri zvicerane, e sapokrijuar, fituan një prej koncesioneve më të përfolura, atë të ngjyrosjes së karburanteve, një sipërmarrje prej të paktën 150 milionë eurosh që konsorciumi pritet të sigurojë përgjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kontratës. (Panorama)

 

 

 

 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart