Shteti favorizon HIB’in në tenderin për karburante edhe pse oferta e Shell ishte më e lirë


08/02/2019

“Shell Licensee ‘Al Petrol’ sh.p.k” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke i cilësuar si të pabazuara të gjitha konstatimet e AQP-së për eliminimin e kompanisë.

Përveç çmimit më të lirë që është një nga pikat kryesore kur vendoset se kush e fiton një tender me qëllim të ruajtjes së parasë publike, “Shell Licnesee ‘Al Petrol’ sh.p.k”, në krahasim me dy kompanitë tjera fituese, ka edhe cilësinë më të mirë dhe ka shtrirje më të madhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 

Gazeta Express ka kontraktuar Agjencinë Qendrore të Prokurimit duke i pyetur se pse është marrë ky vendim, që një tender i tillë t’iu jepet dy kompanive të cilat ofertën e tyre e kanë më të shtrenjtë për rreth 3 milionë euro se sa kompania “ Shell Licensee ‘Al Petrol’, sh.p.k”. 

Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë se tashmë çështja është në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe se po presin vendimin e tyre rreth këtij tenderi. 

“Aktiviteti i prokruimit është ne OSHP dhe cili qe do te jetë vendimi ne do ta respektojmë”, thuhet në përgjigjen e AQP-së, për Gazetën Express. 

Duke e parë këtë, Express ka kontaktuar edhe Organin Shqyrtues të Prokurimit, për të sqaruar dhe marrë detaje se çfarë konkretisht po ndodh me rastin. 

Ata kanë thënë se së shpejti do të thirret një seancë dëgjimore finale, e pas kësaj seance do të merret vendimi i panelit shqyrtues lidhur me dhënien e këtij tenderi.
“OSHP së shpejti do të thërrasë seancën dëgjimore për shqyrtimin kryesor të këtij aktiviteti në të cilën edhe ju mund të merrni pjesë në cilësinë e vëzhguesve. Lidhur me vendimin e Panelit Shqyrtues ,i njëjti publikohet në faqen zyrtare të OSHP-së pas mbajtjes së seancës kryesore lidhur me aktivitetin e prokurimit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së, për Gazetën Express.

Për vendimin e AQP-së, kompania “Shell Licensee ‘Al Petrol’ sh.p.k” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke i cilësuar si të pabazuara të gjitha konstatimet e AQP-së për eliminimin e kompanisë.

“Kompania ‘Al Petrol’ sh.p.k. pas analizimit të tërësishëm të dokumenteve relevante të Tenderit për Furnizim me Karburante konstaton dhe konsideron se Autoriteti Kontraktues- Agjencia Qendrore e Prokurimit ka bërë shkelje esenciale dhe substanciale të dispozitave ligjore të kornizës për prokurim publik në mos vlerësimin e drejtë, real dhe objektiv të ofertës sonë që është ofertë performuese dhe në pajtim me kërkesat, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Dosje të Tenderit dhe si ofertues kemi ofruar çmimin më të lirë prej Operatorëve Ekonomik “Hib Petrol Company për Lot1, Lot2, Lot3, Lot4 dhe Lot5 “, thuhet në deklaratën e ‘Al Petrol sh.p.k.’.

Sipas kompanisë “Al Petrol”, Paneli Shqyrtues dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit duhet të kenë parasysh ofertën që e kanë bërë më të lirë prej rreth 3 milionë euro, me qëllim të ruajtjes së parasë publike. Ata thonë se një shumë e tillë mund të kursehet dhe të shfrytëzohet për sektor të tjerë siç janë shëndetësia, arsimi etj.

Sipas ankesës së “Al Petrol”, nuk mund të zhvleftësohet një ofertë më e lirë për rreth 3 milionë euro, për disa kushtet teknike për të cilat pretendohet se kompania nuk i plotëson.

Edhe përkundër kësaj, të gjitha pretendimet dhe ankesat e kompanisë ‘Al-Petrol’ SHPK, eksperti shqyrtues i ka cilësuar si të pabazuara. 

Në një vendim final të këtij eksperti shqyrtues thuhet se ankesa e kompanisë në fjalë mund të cilësohet si pjesërisht e bazuar, dhe ka rekomanduar që vendimi i Autoritetit Kontraktues në këtë rast “AQP- Agjencisë Qendrore të Konkurencës” të mbetet në fuqi.

“Duke u bazuar në sqarimet e përmendura, eskperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e Operatorit Ekonomik ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar (për arsyet që u cekën tek përgjigjet në pretendimin nr. 1,2,3,4 dhe 5), ndërsa duke pasur parasysh shkelje e hasura sipas pretendimeve të OE ankues në këtë aktivitet të prokurimit nuk ndikojnë në vendimin e AK-së, rekomandoj që Vendimi i AK-së për dhënie të kontratës, të mbetet në fuqi”, thuhet në mendimin përfundimtar të ekspertit shqyrtues, Hasim Krasniqi.

Gazeta Express do të përcjell në vazhdimësi rastin, për të parë se cili do të jetë vlerësimi nga seanca dëgjimore që do të mbahet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe se cili do të jetë vendimi final i Panelit Shqyrtues lidhur me këtë tender milionësh./GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart