Shpendi e nxjerr Q7-shin nga garazhi, a po vozitet me të? (Foto)


17/11/2016

Në parkingun mbrapa objektit të vjetër të Komunës, aty ku parkohen veturat e zyrtarëve komunalë me të cilat dalin në terren gjatë ditës është parë edhe “Q7-shi”. Nuk dihet nëse Ahmeti po i kryen shërbimet e veta zyrtare me këtë veturë, pasi një foto të veturës që e posedon “Lajmi.net”, shihet se asaj aktualisht i mungojnë tabelat, shkruan “Lajmi.net”.

Por, prej që është në krye të Prishtinës Shpend Ahmerti, kjo veturë ka qenë e mbyllur në garazh. Ai pati thënë se nuk i duhet, pasi e konsideronte luks të tepruar. Andaj, ishte zotuar që do ta shesë menjëherë pasi të vinte në pushtet. Dy herë pati dalë në ankand publik, por kishte dështuar shitja. Pastaj zyrtarët komunalë nuk morën një iniciativë të tretë.

Sipas njoftimit në KRPP çmimi fillestar për ta blerë veturën ka qenë 41 mijë e 810 euro. Derisa, është thënë disa herë se kjo veturë ishte blerë nga ish-kryetari Isa Mustafa 76 mijë euro.

Aprovimin për shitjen e kësaj veture, kryetari Ahmeti e kishte marrë ditë më parë nga Kuvendi Komunal. Atë kohë i pari i Prishtinës kishte treguar se aprovimi është bërë pa votat e LDK-së.

“Me gjithë kundërshtimin e LDK-së, Kuvendi Komunal votoi propozimin tim për ta shitur “Audi Q7”. Tani do të zhvillojmë procedurat e parapara me ligj për shitje”, kishte shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

E në vendimin e arsyetimit të shitjes së veturës, që i është dërguar Asamblesë, kryetari Shpend Ahmeti kishte deklaruar se veturën do ta shesë për shkak të shpenzimeve të larta.

“Që nga fillimi i qeverisjes, unë si kryetar kam vendosur që të mos përdorim makinën. Kjo për shkak të shpenzimeve të larta dhe për shkak të makinave të tjera në dispozicion në garazhin e Komunës. Përderisa makina është amortizuar që nga viti 2011, ne vlerësojmë se për shkak të mospërdorimit nga ana jonë, kjo makinë do të zhvlerësohet plotësisht në fund të mandatit 4-vjeçar. Andaj, me qëllim të mbrojtjes së interesit të Komunës dhe ruajtjes së vlerës së pronës, kërkojmë nga Kuvendi që të miratojë shitjen e kësaj veture”, thuhet në arsyetimin Ahmetit.

Ndërsa, mjetet nga shitja e makinës, sipas kreut të Komunës është thënë se do të transferohen në buxhetin e subvencioneve në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku aplikojnë OJQ-të, rastet sociale dhe rastet e tjera në këtë fushë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart