Shenjtërimi i Nënë Terezës, ja kur do të bëhet


07/03/2016

Sipas të gjitha gjasave, akti solemn i shenjtërimit do të zhvillohet më 4 shtator, shkruan orf.at.

Këtë e ka vërtetuar për medie edhe Vatikani, duke publikuar të hënën një listë me emrat e atyre që pritet të shpallen të shenjtë. Krahas misionares shqiptare, themeluese e rendit të motrave të bamirësisë, në këtë listë janë edhe martiri meksikan Jose Sanchez der Rio, polaku, themelues i një rendi kishtar, P. Johannes Papczynski, prifti argjentinas Jose Gabriel Brochero si dhe konvertitja suedeze dhe themeluesja e një rendi kishtar, Maria Elisabeth Hesselblad.

Ceremonia e kanonizimit të Nënë Terezës, thuhet në tekstin e transmetuesit publik austriak do të jetë në fakt njëri ndër kulmet e vitit të shenjtë, të cilin Papa Francesku ia ka kushtuar temës së bamirësisë, përcjell albinfo.ch.

Në takimin ose Konsistorium-in që mbahet më 15 mars, vendimet do t`i marrin kardinalët së bashku me papën.

Papa Francesku më 18 dhjetor 2015 kishte hapur portën për shenjtërimin e Nënë Terezës, e cila është shpallur «e lume» në vitin 2003 nga Papa i atëhershëm Gjon Pali i dytë.

Ndihma që murgesha shqiptare u kishte dhënë më të varfërve në Kalkuta të Indisë, e ka bërë atë të njohur në gjithë botën.

4 shtatori 2016, kur mendohet se ajo do të shpallet e shenjtë, do të binte pikërisht përvjetorin e 19-të të vdekjes së saj, e diel, 5 shtator, 1997.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart