Sejdiu: Diskutimet për të gjetur një konsensus duhet të bëhen në Kuvend


11/10/2018

Draft-rezolutën e propozuar nga Veseli, Sejdiu e ka quajtur si një dokument që nuk e plotëson kriterin minimal dhe se përmbajtja pa proces nuk garanton asgjë pa u diskutuar në Kuvendin e Kosovës.

Sejdiu ka thënë se tryeza e mbajtur sot nuk është e para dhe sipas tij po shihet që do të ketë tentativa për të pasur edhe tjera takime të këtij lloji.

Ai po ashtu e ka përmendur edhe vendimin që Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të jetë kryenegociator, duke e quajtur këtë si një hap të ngutshëm të qeverisë.

“Zgjedhja e Limajt për kryenegociator ka qenë hap i ngutshëm i Qeverisë. Kjo është një situatë konflikti në mes të pushtetit dhe opozitës. Ne nuk besojmë në persona që nuk dihet se cila është detyra e tyre”, është shprehur Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se partia e tij ka prezantuar një mocion përmbajtjesor me katër pika, që nga data 20 korrik, menjëherë pas deklaratave të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh, e që ky mocion nuk është votuar ende.

Ai tutje ka shtuar që i gjithë diskutime për gjetjen e një konsensusi të përbashkët për bisedimet me Serbinë duhet të bëhet në Kuvend.

“Nuk mund të sillemi sikur kjo është një lojë futbolli, kush jep më shumë gola, pra kush bën më shumë diskutime publike, këto diskutime duhet të bëhen në Kuvend”, ka theksuar Sejdiu.

Ai ka thënë se PSD-ja do të marrë pjesë nëpër çdo takim të tillë, për të shprehur qëndrimin e saj. /GazetaExpress

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart