Sami Lushtaku ftohet për intervistim në Tribunalin e Hagës


11/12/2018

“Me autorizimin e klientit tim z. Sami Lushtaku, ju njoftoj se z. Lushtaku ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka thënë Koci. 

“Z. Lushtaku do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Lushtaku rreth kësaj çështjeje”, ka shtuar avokati i tij. 

Ish-kryetari i Skenderajt ka qenë i dënuar edhe në Kosovë për krime lufte. Por ai ishte liruar nga akuzat me një vendim të Gjykatës Supreme që e shfajësoi atë. 

Sami Lushtaku është figura e tretë e rëndësishme e UÇK-së që është konfirmuar se do të intervistohet nga Haga, nga gjithsej gjashtë sa janë ftuar deri më tani, raporton Gazeta Express.

Përveç Lushtakut, avokati Arianit Koci javën e shkuar ka konfirmuar se edhe klienti tjetër i tij Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është njëri prej të thirrurve nga Haga

Të hënën mbrëma, Sokol Dobruna konfirmoi në emisionin “Pressing” në T7, se edhe ai ka marrë një ftesë të tillë

“Më 12 ma ka caktu terminin kur duhet me u paraqit […] Unë supozoj se mund të jem, qoftë dëshmitar qoftë i akuzum, por nuk e di pse duhet me qenë”, tha ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. 

Pak ditë më parë, Gazeta Express kishte raportuar se edhe një tjetër figurë e rëndësishme e UÇK-së do të intervistohet për krime lufte, duke iu referuar Dobrunës. 

Gazeta Express ka raportuar, po ashtu, se dy ushtarë të thjeshtë të UÇK-së, njëri nga Zona e Malishevës, e tjetri nga Dukagjini, janë prej personave të parë të ftuar në Hagë.

Të martën, në media është zbuluar edhe emri i personit të pestë të ftuar nga Specialja për intervistim. Nazif Mehmeti, ish-komandant i policisë ushtarake në Llap, sipas avokatit të tij, Tahir Rrecaj, do të japë dëshminë e tij në Hagë më 22, 23 dhe 24 janar të vitit të ardhshëm

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart