Rrugëtimi i pazakontë i Trumpit drejt Shtëpisë së Bardhë


15/01/2017

 Rruga e pazakontë e Donald Trumpit drejt Shtëpisë së Bardhë filloi me një njoftim të bujshëm në hotelin e tij luksoz të Nju Jorkut në qershor 2016. Ai shpalli se kishte vendosur të kandidonte për president.

“Kam vënë zyrtarisht kandidaturën për President të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë përsëri madhështor,” deklaroi zoti Trump.

Biznesmeni, i cili kurrë nuk ka patur poste publike, do të ketë rastin ta bëjë këtë pas 20 janarit, si president i 45-të i vendit.

I lindur në Kuins të Nju Jorkut, Donald Trump u rrit në një familje të pasur. I ati Fred merrej me biznesin e pasurive të patundshme dhe pati ndikim të hershëm tek i biri.

“I ati ishte shumë autoritar, shumë kërkues dhe i rreptë. Dhe, sigurisht, Donaldi i trashëgoi këto tipare,” thotë psikologu Bart Rossi, raporton Voa.

Trumpi ri kërkoi sukses në botën e rrezikshme të patundshmërive në Manhattan.

Karriera e tij u dallua nga sukseset e bujshme. Ai ngriti kullën e famshme Trump; me mjaft talent e ktheu emrin e tij në simbol dhe i përdori me zgjuarsi mediat, gjë që më vonë do ta ndihmonte në fushatë.

“Të bësh biznes në New York, duhet të jesh shumë i fortë, dhe i motivuar. Ai i mishëron mjaft tiparet e një biznesmeni të Nju Jorkut,” thotë avokati Edward Mermelstein.

Por nuk munguan dështimet; kazinotë që falimentuan, rënia e tregut të patundshmërive që e goditi rëndë, akuzat për mashtrim ndaj Universitetit Trump…

Në fushatë ai mundi 16 kundërshtarët republikanë për emërimin e partisë me një mesazh që pasqyronte shqetësimet e votuesve.

“Ai shfrytëzoi frikën e votuesve, që kishte zënë vend mes tyre prej një kohe të gjatë,” thotë Michael Kranish, bashkautor i librit “Trump Revealed.”

Mati gjithashtu pulsin, për të parë se sa larg mund të shkonte me komentet për meksikanët:

“Ata po sjellin drogën dhe krimin. Ata janë përdhunues,” deklaroi ai.

Po ashtu për myslimanët:

“Plani katastrofik i Hillari Klintonit për emigracionin do të sjellë shumë më tepër emigrantë radikalë islamikë në vend, duke kërcënuar jo vetëm shoqërinë por krejt mënyrën tonë të jetesës.”

Që nga fitorja në zgjedhje, zoti Trump i ka zbutur komentet, por duhet pritur deri sa ai të ndërmarrë veprimet e para si president për të gjykuar mbi ndikimin që do të kenë fjalët e tij te shoqëria amerikane dhe te vendi i Amerikës në botë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart