Rritje enorme e gripit në javën e parë të shkurtit: Shkollat të lëshojnë fëmijët e sëmurë


08/02/2018

Instituti thotë se gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5 për qind krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve.

“Nga 01 tetori deri më 02 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të  dyshimta  në grip (ILI). Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 07 shkurt 2018  janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej  tyre 165 ose 51 %  kanë  rezultuar pozitive  në  Influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata)”, thuhet me një komunikatë të këtij Instituti.

Në bazë të situatës aktuale Instituti Kombëtar konstaton se kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal.

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Kosovës duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

Ministrin e MASHT që të njohtojnë të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë, sipas IKSHP-së duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet.

Rekomandojmë Institucionet shëndetësore (veçanërisht SHSKUK):

Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

Përdorimi i mjeteve mbrojtëse për profesionistët shëndetësorë

Dezinfektimi i të gjitha hapësirave të institucioneve shëndetësore (veçanërisht SHSKUK, repartet infektive, pediatrike dhe gjinekologjike).

Instituti thotë se, zyrtarët e saj  po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit H3N2 në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Shtetet të cilat kanë raportuar intenzitet të lartë me grip janë Italia, Bullgaria dhe Irlanda. Ndërsa shtete tjera kanë intenzitet mesatar (Anglia, Gjermania, Franca, Koracia, Sllovenia etj) dhe intenzitet të ulët në shtetet tjera.

Në Shqipëri gripi gjithashtu ka kaluar pragun epidemik dhe situata epidemiologjike është e njejtë edhe në shtetet fqinje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për panik në popullatë sepse të gjitha rastet e rënda trajtohen me kujdes në SHSKUK. “Situata epidemiologjike nuk varet nga shifrat por nga ashpërsia klinike e sëmundjes dhe nga numri i rasteve të rënda. Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgaditur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë”.

Si të mbrohemi nga Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpiklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne menyre indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

Njerëzit 65 vjeç e sipër

Gratë shtatëzëna.

Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

Temperaturë e lartë

Kollë

Dhimbje fyti

Lodhje

Dhimbje koke

Diarre dhe vjellje

Dhimbje barku

Rrjedhje të hundëve

Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

Frymëmarrje te shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

Nuk konsumojnë mjaftueshëme lëngje

Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

Fortësim te qafës

Të rriturit shfaqin:

Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

Marramendje të papritur

Konfuzion mendor

Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

    VAKSINIMI

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos :

Fëmijëve mbi 6 muaj

Personave mbi 50 vjeç

Personave me rrezik më të lartë

Personelit shëndetësor

Grave shtatëzëna

Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarëve.

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

Personave që kanë alergji në vezë

Gjendje akute me temperature

Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni desinfektues.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

Ushqehuni shëndetshëm

Bëni aktivitet fizik

Bëni gjumë të mjaftueshëm.

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :

Qëndroni në shtëpi.

Qëndroni veç nga të tjerët

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtimi

Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

Evitoni kontaktet me njerëzit.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart