Rrëzohet njëri mur, ndërtohet tjetri


06/02/2017

Derisa rrëzimin e murit e përshëndetën përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare, serbët e veriut paralajmërojnë një “mur” tjetër më 7 shkurt. Muri u rrëzua, por tensionet në veri duket se do të mbesin, shkruan “Zëri”.

Muri i veriut ishte sponsorizuar nga Beogradi, ndërsa formën e ndarjes së vendit e mori më 4 dhjetor, kur edhe u bë publik nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ekskavatorët kanë filluar rrënimin nga drejtimi i ish-kafenesë “Dolce Vita” dhe kanë shkuar deri në fund, pa e lënë asnjë centimetër të murit në këmbë.

Askush nga zyrtarët komunalë të veriut të Mitrovicës nuk është dukur aty, e as kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i cili është shfaqur vetëm pas përfundimit të punës në rrënimin e murit. Por, ishte Rakiq ai që paralajmëron një mur tjetër.

Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Prishtinë, ka përcjellë nga afër rrënimin e murit. Në një prononcim për mediet, Apostollova ka thënë se rrënimi i murit është një moment i rëndësishëm, ndërkohë ka shfaqur shpresën se marrëveshja për rrënimin e murit do të bëjë që të ketë edhe zgjidhje të tjera.

“Bashkësia ndërkombëtare do ta mbështesë çdo iniciativë. Nuk do të ketë më mure, por do të ketë një konstruksion tjetër. Do të jenë disa shtylla metalike që do të pengojnë qasjen e automjeteve në sheshin i cili do të jetë shumë i bukur”, ka thënë Apostollova, e cila ka siguruar se më nuk do të ketë mure.

Ndryshe, muri në Mitrovicë, ngre në këmbë Kuvendin e Kosovës, i cili miratoi një rezolutë, me të cilën e autorizon Qeverinë e Kosovës që ta rrënojë murin. Dhe Qeveria duket se ishte e vendosur për t’i shkuar deri në fund këtij problemi, qoftë edhe dhunshëm. Por, në fund, me rekomandimin e Qeverisë së Serbisë, serbët e veriut pranuan kushtet e Prishtinës për ta rrëzuar vetë murin.

Rakiq: Do ta vendosim një mur tjetër

Por në anën tjetër, askush nuk beson se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, të mos veprojë sikurse në rastin e largimit të barrikadës prej zhavorri dhe të përforcuar me beton në urën e Ibrit, kur vetëm pak orë pas largimit të barrikadës kishte organizuar vendosjen e disa vazove me drunj pishe, si dhe disa kamionë me dhe në urë, të cilën ai e kishte quajtur “Park i paqes”.

Në këtë mënyrë, në vend të barrikadës me zhavorr e të përforcuar nga serbët me beton, ishte vendosur një barrikadë tjetër, pak më e butë, por e cila pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Diçka të ngjashme Rakiq e ka paralajmëruar edhe gjatë mbledhjes së Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, të shtunën, por e ka qartësuar idenë e tij të dielën, menjëherë pas rrënimit të murit. Ai ka dalë me një deklaratë, e pastaj edhe me një komunikatë për medie, me anë të së cilës ka siguruar serbët se të martën do të fillojë ndërtimi i mburojës së re me konstruksione të betonit, vetëm pak centimetra më brenda ku do të ndërtohet sheshi në rrugën “Mbreti Petër”.

“Kjo mburojë kësaj radhe do të jetë shumë më e ulët, rreth 70 centimetra, por do të jetë e gjerë 120 centimetra”, ka thënë Rakiq, të dielën, vetëm pak minuta pas rrënimit të murit. Rakiq ka siguruar se mburoja me konstruksion betoni do të jetë shumë e fortë dhe do të garantojë siguri për qytetarët e Mitrovicës së Veriut.

Sheshi do të mbetet vetëm për këmbësorë

“Mburoja e re me konstruksione betoni ambientalisht dhe estetikisht do të jetë në harmoni të plotë me projektin e ndërtimit të zonës së këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti Petër I’, ka sqaruar Rakiq, duke shtuar se “duke iu falënderuar mbështetjet së fuqishme, të përhershme dhe principiele të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ndërtimin e kësaj mburoje, pas bisedimeve të gjata, kësaj radhe kemi arritur ta marrim pajtimin edhe të përfaqësuesve relevantë ndërkombëtarë”.

Është më se e qartë, se tani Rakiq ka ndërruar mendje, pasi që të shtunën thoshte se në atë pjesë do të vendosen shtylla metali rreth 1.5 metra larg njëra-tjetrës, në mënyrë që njerëzit që vijnë nga jugu dhe nga drejtimi i “Tre soliterëve” të mund të hyjnë në zonën e këmbësorëve.

“E gjithë gjatësia e kësaj strukture të re, që do të ketë shikim nga zona e këmbësorëve, do të duket ashtu që në tërë gjatësinë e saj do të vendosen ulëse. Gjerësia e strukturës do të jetë 1.2 metra, një pjesë do të jetë e lartë 70 centimetra dhe pjesa tjetër 40 centimetra”, pati thënë Rakiq, të shtunën.

Ai ka shtuar se pengesat do të jenë shtylla zhytëse dhe do të komandohen nga distanca dhe se qëllimi është që në rast se do të vijë deri tek situata emergjente, zona e këmbësorëve të hapet për trafik, por vetëm për automjetet e ndihmës së shpejtë, të zjarrfikësve dhe të policisë.

“Duke shikuar nga ura, djathtas nga ‘Lagjja e Boshnjakëve’ ndodhen strukturat e ridizajnuara për të cilat jemi marrë vesh më 8 dhjetor. Zona në të cilën do të vendosen shtylla zhytëse nuk do të jetë 6 metra, ajo hapësirë i ka 9 metra”, ka thënë Rakiq.

Bahtiri: Heqja e murit, lajm i mirë – a do të ketë mur tjetër, pyeteni Veselin?

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e ka përshëndetur heqjen e murit në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ka thënë se që nga fillimi është angazhuar për një qytet të përbashkët për të gjithë qytetarët.

“Gjithmonë kemi dashur një qytet të përbashkët për të gjithë qytetarët, ku lëvizja e lirë është e garantuar”, ka thënë Bahtiri, sipas së cilit, edhe rivitalizimi i urës do të bëhet së shpejti.

“Çështja e murit ka shkaktuar probleme dhe ka shtyrë edhe procesin e rivitalizimit të urës. Megjithatë, ura shumë shpejt do të jetë e hapur për automjete dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

I pyetur nëse do të ketë mur tjetër në atë pjesë ku është rrëzuar ai aktual, Bahtiri ka pasur një përgjigje e cila ka lënë të kuptohet më shumë.

“Pyeteni Kadri Veselin. Ai ka thënë se nuk do të ketë asnjë centimetër mur tjetër dhe unë nuk i besoj. Nuk i besoj sepse nëse do të ishte pa asnjë ndërprerje, unë do të isha pjesë e takimit”, ka përfunduar Bahtiri. /Zëri

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart