Rrëfime nga ish-ushtarët e UÇK-së për ditën e 5 marsit në Prekaz


04/03/2019

Atë ditë filluan sulmet në familjen Jashari, dhe u rrethua fshati Prekaz. Ish-ushtarë të UÇK-së, rrëfejnë ekskluzivisht për KosovaPress ngjarjen e 5 marsit. Tregojnë në detaje se çka ndodhi në lagjen Lushtaku dhe Kodra në kohën kur filluan sulmet te Jasharajt, si u rrethua fshati dhe si i kthyen prapa tanket serbe.

Mëngjesi i 5 marsit të vitit ‘98 ishte i kthjellët dhe me diell. Njerëzit aty veç kishin filluar të lëvizin.

Burrat e fshatit, që tashmë ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishim bërë roje gjithë natën. Disa prej tyre, derisa po qëndronin në logun e fshatit, panë Feriz Kodrën që shkonte në drejtim të fshatit Polac. Ferizi çdo herë shkonte për blerje, dita e enjte ishte ditë tregu në Drenas. Ushtarët derisa po tymosnin cigare, panë përsëri Feriz Kodrën, por tani derisa kthehej me vrap e i mbushur frymë. 

U tha se fshati ishte rrethuar. Ata vëzhguan në drejtim të kodrës së Polacit dhe panë policët serb të pozicionoheshin në kodër dhe shtëpitë e lagjes Velijaj. Profesori Isuf Kodra, ish-ushtar i UÇK-së, atë mëngjes ishte roje, bashkë me një tjetër bashkëluftëtar. Për KosovaPress, ai rrëfen në detaje ndodhitë e asaj dite.

Dikush ishte kujtuar të tërhiqte familjet nga strehimoret e improvizuara, dhe t’i orientonte në drejtim të fshatit Mikushnicë.

Më herët, ushtarët kishin vendosur që në rast sulmi, i cili edhe pritej, fëmijët, gratë dhe pleqtë të vendoseshin nëpër disa shtëpi të forta, me bodrume si strehimore të improvizuara.

Nën udhëheqjen e Ilaz Kodrës, Fadil Kodrës dhe Zenun Kodrës, që ishin pjesëtarë të radhëve të para të UÇK-së, të grupit të Adem Jasharit, u fillua me pozicionimin e ushtarëve. U ndanë në tre grupe.  Një grup ishte pozicionuar në kodër të fshatit afër shtëpive të Jetullahëve, një tjetër poshtë te kroi i fshatit dhe Malit të Stukës, dhe grupi i tretë te shkolla e fshatit. Rreth orës 6 e 20 minuta u dëgjuan të shtënat e para të Jasharajt e më pas edhe nga pozicionet e armikut në lagjen Velijaj në Polac, që ishte 150 metra vijë ajrore nga pozitat që kishin zënë ushtarët e fshatit. Ilaz Kodra me një grup te pozicionuar të shkolla e fshatit vendosën të depërtonin në drejtim të Jasharajve. Por, serbët kishin pozicionuar forca të shumta dhe autoblinda duke ndarë me vijë zjarri lagjen Kodra dhe Lushtaku, me atë të Jasharajve.

Tentimi i grupit të Ilaz Kodrës ishte pa rezultat, shpjegon njëri nga dëshmitarët e gjallë, Zenun Kodra.

Derisa të shtënat te Jasharajt sa vinin e shtoheshin, të përcjella tani edhe me mitralime dhe shpërthime artilerie, forcat e armikut të pozicionuara në Polac filluan të lëviznin në drejtim të varrezave të shatit  të cilat ndodhen në mes të lagjes Kodra dhe Velijaj.
Dy tanke ishin nisur në këtë drejtim dhe tashmë kishin arritur te varrezat. Njëri tank e kishin hipur mbi varreza dhe ishte nisur në drejtim të grupit të Fadil Kodrës. Tanku tjetër ishte në drejtim të kroit të fshati. 

Dëshmitarët e ngjarjes thonë se qëllimi i tyre ishte të neutralizonin forcat e ushtarëve në ndihmë të Jasharajve, dhe të eliminonin grupin e Adem Jasharit, Ilaz Kodrën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Xhemë Kodrën, Sami Kodrën, Nuredin Lushtakun e Naim Lushtakun e të tjerët. E kjo shtëpi para së cilës po rrëfehet Zenun Kodra, është shtëpia ku UÇK-ja kishte një pozicion, rreth dy javë para 5 marsit, ka vendosur një mitraloz të cilin e kanë menduar për kundër ajror.

Ky pozicion u ka shërbyer që të mbulojnë krejt këtë pjesë në shumë raste. Ditën e 5 marsit, në këtë fshat që njihet për të gjithë si Prekazi i Poshtëm, filloi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftë kishe në tre lagjet e fshatit, të Jasharajt, në lagjen Lushtaku dhe lagjen Kodra. Ushtarët e UÇK-së, duke përdorë strategji të ndryshme, vazhduan përballjen me forcat serbe nga lagja Kodra dhe Lushtaku, meqë tashmë dihej qartë që ishte e pamundur të depërtohej te Jasharajt.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart