Raporti për vendet me ajrin më të ndotur në botë: Prishtina zë këtë vend


05/03/2019

Sipas të njëjtit raport, shtatë nga dhjetë qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit në botë gjenden në Indi.

Derisa, raportohet se disa nga qytetet e Kinës kanë shënuar përmirësim të dukshëm sa i përket cilësisë së ajrit.

Qyteti më i ndotur në botë sipas këtij raporti të Greenpeace dhe AirVisual është Gurugram, i cili gjendet në periferi të kryeqytetit indian, Nju Dehli. Indeks mesatar i cilësisë së ajrit në këtë qytet ishte 135.8 gjatë 2018-s – tri herë më shumë se niveli që Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA e konsideron të shëndetshëm.

Sipas raportit, ndotja e ajrit gjatë vitit 2019 do të shkaktojë rreth 7 milionë vdekje të parakohshme dhe do të ketë ndikim të madh negativ ekonomik.

Problemi i ndotjes së ajrit më shqetësues është në Azinë Jugore. 18 nga 20 qytetet më të ndotura në botë gjenden në Indi, Pakistan dhe Bangladesh.

Ndryshimi i klimës “po i keqëson dukshëm efektet e ndotjes së ajrit duke ndryshuar kushtet atmosferike dhe duke përforcuar zjarret që po përfshijnë pyjet” – thuhet në raport.

Nga raporti i fundit rezulton se nga tre mijë qytete sa janë përfshirë në raport, 64 prej tyre kanë tejkaluar vlerat normale të parapara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ajri i ndotur përmban kimikale si sulfatet, nitratet dhe karboni i zi, të cilët shkaktojnë sëmundje të mushkërive dhe zemrës. Madje, mund të shkaktojnë edhe kancer.

Listën e plotë me vendet me ajrin më të ndotur në botë e gjeni KËTU

Çka po ndodh me ndotjen e ajrit në Prishtinë?

Gjatë muajve të dimrit, Prishtina shpeshherë i kishte prirë listës së vendeve me ndotjen më të lartë të ajrit në botë.

Për disa muaj, kjo ishte shndërruar në fenomen shqetësues, pasi vlera e ndotjes së ajrit shpeshherë ishte alarmante.

Matjet bëheshin nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Për ndotjen e ajrit, Prishtina shpeshherë kishte tejkaluar edhe shtetet me nivelin më të lartë ndotjes, siç ishin India, Pakistani e Kina.

Kjo gjendje kishte alarmuar institucionet dhe qytetarët, ku këta të fundit madje kishin mbajtur një protestë në shesh.

Gjatë muajve të parë të dimrit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik iu kishte sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska, për shkak të komplikimeve shëndetësore që do të mund të shfaqeshin shkaku i ndotjes së lartë.

Institucionet kishin ndërmarrë masa afatshkurtra për problematikën e ndotjes së ajrit.

Fillimisht ishte ndaluar qarkullimi i veturave në disa zona të kryeqytetit, por për shkak të tollovisë së shkaktuar, ky vendim ishte anuluar.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart