Qytetarët që refuzuan t’u ofrojnë ndihmë personave të rrezikuar po i pret dënimi


21/02/2019

Ishte fillimi i korrikut të 2017-s, kur një i moshuar nga Gjilani ishte alivanosur nga të nxehtit pranë një rruge në këtë qytet, derisa ishte duke u kthyer nga tretmani mjekësor. 

63-vjeçari kishte mbetur i shtrirë në tokë për disa minuta, por asnjë prej kalimtarëve nuk e kishte parë të arsyeshme që t’i japë ndihmën e parë këtij të moshuari, i cili më pas edhe kishte ndërruar jetë. 

Policia kishte konfirmuar se personi në fjalë kishte probleme shëndetësore me zemër, ndërsa nga mjeku kujdestar ishte vërtetuar se vdekja kishte qenë e natyrshme, pasi kishte dokumente për historinë e kësaj sëmundje.

Por, rasti i 63 vjeçarit nga Maqedonia nuk është i vetmi i këtij lloji. 

Vetëm gjatë vitit 2017, edhe tre personave të tjerë që ishin në rrezik për jetë nuk iu është ofruar ndihmë nga kalimtarët, numër ky që për pesë vitet e fundit shkon në 11 raste të mosdhënies së ndihmës. 

Gjithë kjo sipas statistikave të Policisë së Kosovës që ka siguruar Gazeta Express.
Në bazë të këtyre statistikave, rasti i fundit për mosdhënie të ndihmës është raportuar gjatë vitit të kaluar, që ka qenë edhe rasti i vetëm për atë vit. 

Derisa më së shumti raste të tilla po del të kenë ndodhur gjatë 2017-s dhe 2015-s, përkatësisht nga katër raste.

Ndërkohë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, referuar rasteve emergjente për mosdhënie të ndihmës së parë, neni 191 tregon se kryesit e kësaj vepre mund të përballen me ligjin.

Për mosdhënie të ndihmës së parë, dëshmitarët mund të dënohen deri në tetë vjet burg. 

Sipas Kodit Penal, “kushdo që nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten apo tjetrin, dënohet me burgim deri në një (1) vit.”

Por, dënimi është edhe më i lartë nëse personi i rrezikuar vdesë. 

“Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit të rrezikuar, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, thuhet në Nenin 191 të Kodit Penal. /Gazeta Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart