Pse Albin Kurti dhe VV i kërkonin pamjet e burgut për rastin Dehari?


11/11/2016

Gazeta Express, të enjten, ka siguruar e më pas publikuar pamjet e kamerave të burgut të Prizrenit. Njëkohësisht ato i kanë publikuar edhe media tjera. E kjo nxiti reagim të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, këta të fundit përmes avokatit Tomë Gashi, të premten, deponuan në Prokurori të Shtetit, kallxim penal për ata që ua dhanë mediave pamjet. 

Por, pse Lëvizja Vetëvendosje dhe familja Dehari nuk po duan që këto filmime të dalin në media? Ata ishin të parët që kërkuan t’i kenë në duar xhirimet e kamerave të sigurisë të qendrës së paraburgimit në Prizren, të ditës kur vdiq Astriti? 

Madje, Albin Kurti, të hënën në një intervistë, këmbëngulte që subjekti që ai dikur e drejtonte dhe Familja Dehari t’i kenë në duar pamjet që mbrëmë dolën për të gjithë publikun. Por, ai ato i donte vetëm për vete. 

“Le ti shohim të gjitha elementet, të cilat nuk po i shfaqin. Si bëhet që komandanti i Policisë së Rajonit të Prizrenit thotë që nga medikamentet ka vdekur Astrit Dehari. Në ndërkohë se nuk merr mundin të na i shfaq menjëherë neve pamjet e kamerave”, deklaroi Kurti të hënën në ‘Interaktiv’. 

“Pra, në vend se të flasë me medikamente, ai ka mundur të na flasë me pamje dhe të na thotë, shikoni nuk ka asgjë në këtë korridorin e krahut A të burgut të Prizrenit, mirëpo nuk e bënë këtë gjë”, tha deputeti i VV’së, katër ditë para se të dalin pamjet në publik. 

“Prej të shtunës pasdite, deri sot [e hënë]], janë më shumë se 48 orë dhe nuk shfaqen pamjet e tilla. Mirëpo japin deklarata për medikamente që autopsia tregon se nuk ekzistojnë”, thoshte ai. /GazetaExpress/. 

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart