A u bë PSD pjesë e PAN’it? Akuza të shumta për partinë e Shpend Ahmetit që ia votoi Qeverisë buxhetin


21/12/2018

Partia Socialdemokrate e Shpend Ahemtit sot e ka shpëtuar Qeverinë Haradinaj që të bie.  Votat e kësaj partie kanë bërë që të kaloj në Kuvendin e Kosovës buxheti për vitin 2019.

Mirëpo, PSD deri javë më parë kishte një qëndrim ndryshe për votimin e këtij buxheti.

Drejtues të kësaj partie thonin se buxheti i vitit të ardhshëm ka shumë telashe dhe probleme të jashtëzakonshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu,  me datën 6 të këtij muaji pati thënë se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të votojë buxhetin për vitin 2019, pasi sipas tij buxheti si i tillë ka probleme të jashtëzakonshme.

“Në fakt jemi në fazën e diskutimit të buxhetit. Buxheti si i tillë ka sipas meje telashe të jashtëzakonshme, diku 465 milionë euro apo mbi 20 për qind e shpenzimeve të parapara në buxhet shkojnë për skema sociale dhe pensione në një vend ku vetëm 7 për qind e popullsisë është në moshën e pensionimit. Përderisa një pjesë e madhe e popullsisë është në arsim vetëm 3 për qind e shpenzimeve shkojnë në arsim”, kishte thënë Sejdiu.

Kurse, ditë më parë edhe në emisionin Perssing në T7, Dardan Molliqaj kishte thënë se PSD nuk to ta votoj buxhetin për vitin 2019.

E një pohim se PSD do të mbështes qeverinë e Kosovës për buxhet, e kishte dhënë edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai madje ishte shprehur i sigurt se PSD do ta votoj buxhetin.

“ Partia Socialdemokrate do të qëndroj në Kuvendin e Kosovës kur të votohet buxheti. Kjo tregon se Qeveria nuk do të bije për shkak të buxhetit”, kishte thënë Lekaj më datën 14 të këtij muaji në ‘DPT te Fidani’ në T7.

Kurse, sot pikërisht Dradan Sejdiu ka arsyetuar votimin e buxhetit nga ana e PSD.

Ai ka thënë se Partia Socialdemokrate e ka shqyrtuar me kujdes projekt-ligjin për buxhet.

Ka thënë se e “kemi krejt të qartë që përgjegjësinë politike për mos-funksionimin normal të Qeverisë së Kosovës e ka Kryeministri dhe qeveria e cila e varri vetën, që nga themelimi nga ky instrument politik i Serbisë, pra Listës Serbe”.

“Krejt këto i kemi shpërfaqur edhe në diskutimet tona gjatë shqyrtimit të projekt-ligjit për ndarjet buxhetore! Në situatën në të cilën është Kosova dhe ku pritet që viti i ardhshëm të jetë vit ku besojmë që mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, si dhe duke pasur parasysh që tashmë kemi delegacion shtetëror për këtë çështje, konsiderojmë që funksionaliteti i Republikës së Kosovës në këtë periudhë kohore nuk guxon në asnjë rrethanë të mbetet peng i instrumenteve të pushtetit serb, përkatësisht instrumentit të saj në Kosovë, Listës Serbe”, ka thënë Sejdiu.

Sjediu ka thënë se në mënyrë që në parim ta përkrahim projekt-buxhetin, ne si PSD kemi 5 kërkesa konkrete për të cilat presim zotim publik nga Kryeministri i Kosovës, para votës për këtë projekt-buxhet.

Kundër buxhetit të vitit 2019 kanë dalë  LDK dhe VV, të cilët edhe e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti ka thënë se votimin e sotëm për buxhetin e ka mundësuar Partia Socialdemokrate, të cilën e ka quajtur partnere të koalicionit qeveritar.

“Partneri më i ri i koalicionit PAN, PSD me mandateve të palegjitimuara me votën e qytetarëve, mundësoi votimin e buxhetit 2019”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Buxheti ishte çmimi i tyre. Qytetarët e Kosovës nuk harrojnë t’u japin përgjigjen e merituar atyre që ua deformojnë vullnetin politik”.

Buxheti u miratua me 62 vota pro.

Miratimin e buxhetit e ka mirëpritur kryeministri Ramush Haradinaj, duke e  konsideruar këtë fakt si lajm të mirë për vendin.

“Falënderoj të gjithë deputetët që dhanë votën Pro për buxhetin e vitit që po hyjmë, si dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë fiskale dhe rritjes ekonomike”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Buxheti për viti e ardhshëm pritet të jetë në vlerë prej 2.3 miliardë euro./Gazeta Express/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart