​Policia ende s’po i gjen 4 personat që vodhën thasë me para


06/02/2019

Katër persona të maskuar, të martën, kryen një grabitje në filialin e një banke në Çagllavicë. Tre prej tyre, dyshohet se ishin të armatosur me armë të gjata. 

E gjitha ndodhi, ndërkohë sa sigurimi i bankës po sillte para me thasë në objekt, rreth orë 15:00. 

Grabitësit arritën të largohen nga vendi i krimit, me një veturë të tipit “Ford”, e cila u gjet gati dy orë pas plaçkitjes, në një fshat të Graçanicës – jo shumë larg filialit të “TEB Bankës” që ishte cak i vjedhjes me armë. 

Megjithatë, deri më sot, Policia vetëm veturën ka arritur ta identifikoje e më pas ta gjejë, por jo edhe katër grabitësit. 

Zyra për Media e Rajonit të Prishtinës ka konfirmuar për Gazetën Express, se Policia e Kosovës nuk ka identifikuar e as kapur ende të dyshuarit në fjalë. 

“Po punohet për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve”, thuhet në një përgjigje të shkurtër me shkrim të Policisë. 

Burime të Gazetës Express, tregojnë se hetuesit e policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, mund te bien ne gjurmë të të dyshuarve në bazë të ekzaminimit të numrave identifikues të veturës “Ford” me tabela 01, me të cilën plaçkitësit u larguan nga Prishtina, pasi kryen grabitjen e armatosur.  

Ndërkohë që edhe ekipet e forenzikës, të martën, me tu gjetur vetura jashtë rrugës kryesore në fshatin në fshatin Uglare të Gracanicës, ka marrë mostrat që mund të çojnë në gjetjen e gjurmëve dhe identifikimin e grabitësve. 

Nga ana tjetër, policia të mërkurën në raportin e tyre 24 orësh ka treguar se grabitja e djeshme ka kaluar pa ndonjë të lënduar. 

Shuma e parave që janë vjedhur nga grabitësit me armë, sipas Policisë, ende nuk është e raportuar. 

“Raportohet se katër të dyshuar të panjohur, të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur automjetin që transportonte paratë pronë një kompanie. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për të lënduar dhe as për shumën e parave të grabitura”, thuhet në raporton policor. 

Grabitjet e armatosura janë shndërruar në fenomen shqetësues, gjatë muajve të fundit, në Kosovë. 

Vetëm këtë javë, janë raportuar të paktën 4 raste në Polici të Kosovës. 

Në dhjetor të vitit të shkuar, në Istog, një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë gjatë një grabitje të armatosur që ndodhi në një bankë të kësaj qyteze. /GazetaExpress/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart