Përkujtohen dy dëshmorët që i dolën në ndihmë Adem Jasharit


28/02/2018

Rexhep Rexhepi mori plumbin e vdekjes në fushëbetejë nga një polic që kishte mbijetuar në sulmin që ushtarët e UÇK-së i kishin bërë një automjeti të Policisë serbe.

Ndërkaq, Beqir Rexhepi u shua pas 9 orë luftë të ashpër kundër ushtarakëve serbë të armatosur rëndë, konvojeve tokësore dhe helikopterëve.
Të dy trimave që dikur i dolën krah komandantit Adem Jashari, shteti për të cilin luftuan iu doli ‘hak’ duke i ndërruar me Urdhrin Hero i Kosovës. Nderimin e këtyre dy ushtarëve e bëri Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Varrimi i tyre është bërë me 3 ditë pas rënies. Edhe pse në një rrethim të hekurt nga policia dhe ushtria serbe në këtë varrim kishte qindra mijëra pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare.
Në nderim të veprës së dy heronjve të Kosovës, Metro u sjell historikun e luftës dhe rënies së tyre:

Në vitin 1991 me rastin e rrethimit të parë që i është bërë familjes së Shaban Jasharit, Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi kanë dalë të armatosur dhe i janë bashkangjitur turmës pranë bashkësisë lokale në Çirez, që të shkonin në mënyrë të organizuar, pastaj vjen lajmi se Ademi, Rifati, Sahiti kanë dalë nga rrethimi dhe njerëzit e grumbulluar duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në vitin 1992 Rexhepi së bashku me nipat Beqirin dhe Zeqirin me dijeninë e komandantit Adem Jashari i kishin përcjellë me sukses një grup vullnetarësh për në Shqipëri. Në atë grup militantësh ishin: Avni Zymeri me disa shokë. Nga Sllapuzhani, në drejtim të maleve të Pashtrikut këtë grup, gjatë rrugës, e kishin siguruar edhe Aziz Elshani me të birin, Samiun. 

Rexhepi pasi i kishte përcjellë deri në kufi ishte kthyer dhe kishte pritur në Sllapuzhan derisa kishte marrë vesh së luftëtarët e ardhshëm të UÇK-së kishin kaluar kufirin pa pasoja. Dhe me këtë rast kjo familje armatoset me kallashnikov të cilin do të posedojë Rexhepi deri në rënie.

Me rastin e inkuadrimit në radhët e njësitit ushtarak të Adem Jasharit, Beqir Rexhepi jep betimin para flamurit kombëtar, armatoset me automatik dhe me dy bomba dore. Beqiri i 18-ti më radhë iu bashkëngjit Njësitit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Pastaj gjatë viteve 1996/1997, merr pjesë në shumë aksione kundër stacioneve policore serbe, të cilat i kishte komanduar e udhëhequr kryetrimi i Drenicës Adem Jashari me trimat e tij.
Me rastin e rrethimit të dytë të Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, Beqiri qëndroi katër ditë në Prekaz me detyrë të rojës në rast të rifillimit të luftimeve. Asokohe në radhët e UÇK-së ishte edhe vëllai i tij Zeqiri dhe axha Rexhep Rexhepi. Në familjen Rexhepi asokohe ishte duke u bërë roje pasi që tani kjo familje ishte bërë çerdhe e UÇK-së.
Më 14 shkurt 1998, serbët masakrojnë Abdullah Nikën në vendin e tij të punës, njësiti themelues i UÇK-së së bashku më popullatën, realizuan me pietet të lartë ceremoninë e varrimit të tij, në mbrëmje të po kësaj dite Njësiti gueril u kthye në Kullën e Brahim Ajet Rexhepit në Çirez të Drenicës. Asaj mbrëmje, në atë kullë, kishte përplot luftëtarë të lirisë, ku u zhvilluan bisedime konstruktive mbi çështjen madhore të Kosovës. Atë natë u mor vendim që automjetet e policisë serbe që dalin e hyjnë nga Drenasi (Gllogovci), dhe Skenderaj nëpër fshatrat e Drenicës, nuk do t’i lëshojnë të kthehen të gjallë në stacionet famëkeqe të tyre. Do të luftonin kundër tyre pa u lëkundur deri në vdekje.
Shtëpia e Rexhep Rexhepit dhe e Brahim Rexhepit ishte bërë strehë e sigurt e luftëtarëve të UÇK’së. Ata kishin marrë të gjitha masat për të mos rënë në sy të armikut dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Rrëfimi i betejës Likoshan-Çirez nga ata që e panë nga afër:
Më 27 shkurt 1998 në Kullën e Brahim Rexhepit mblidheshin luftëtarët e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare, si: Musë Jashari, Xhemë Korda, Beqir Meha, Rasim Kiçina, Jahir Hajdari, Isa  Ferati, Beqir dhe Zeqir Brahim Rexhepi, Rexhep Ajet Rexhepi, Skënder Gjeli, ku u morën qëndrime të përpikta:
“Nëse barbarët serb, do të na hyjnë nëpër shtëpi, t’i luftojmë, zjarrit me zjarr do t’i kundërvihem. Armikun, okupatorin serb, do ta shporrim nga trojet tona mijëra vjeçare, do ta çlirojmë njëherë e përgjithmonë mëmëdheun. Popullit shqiptar do t’i sjellim lirin e merituar… Më vonë, para agut të dritës, Musa Jashari me një grup shokësh vazhdoi rrugën, kurse të tjerët mbetën në Kullë, ku i zuri mëngjesi i 28 shkurtit 1998”.
Në mëngjesin e 28 shkurtit 1998, Rexhep Ajet Rexhepi dhe Beqir Brahim Rexhepi dalin kinse të punojnë në arë, por më tepër kishin qëllim ta kontrollojnë situatën në fshat, sepse ishte koha për t’u rikthyer Musë Jashari që t’iu bashkohej shokëve në Kullën e Brahimit.

Në orën 11, te Gjashtë lisat në Likoshan, gjëmuan armët. Krismat e armëve u përhapen në tri fshatra, Likoshan, Gllanasellë dhe Gradicë, ku invaduan forcat serbe nga të katër anët.

Beqiri lëshohet furishëm në Kullë, për t’ua sjell lajmin bashkëluftëtarëve. Ata e pyesin Beqirin se çka ka ndodhur, por ai rrëmbeu armët duke iu thënë: “Erdhi dita që shkaut t’i dalë përpara…”

I pari nga Kulla doli Beqiri, në vijim vëllai Zeqiri, xhaxhai i tij Rexhepi, Isa Ferati, Beqir Meha, Xhemë Kodra dhe Skënder Gjeli që u armatos me automatik nga Zeqiri. Të gjithë trimat e vazhduan rrugën nëpër arat e Vegshit dhe nëpër oborr të Ferat Danit. Kështu katër automatik nga familja Rexhepi vazhduan drejt ‘arenës së nderit’. Kur invadoi edhe ‘Niva’ e dytë e stërmbushur me formacione armike, trimat e UÇK-së në çastin vendimtar, ua zbrazin atyre krismat e para. Filluan luftimet grykë për grykë, gjoks për gjoks, dhëmbë për dhëmbë. Sakaq ‘Nivës’ armike i doli tymi i bardhë e më pastaj edhe tymi i zi që mbulojë qiellin. Në këto çaste vendimtare, të shikosh Rexhepin ‘ta kujton trimin e maleve të Drenicës, Ahmet Delinë’, thotë Isa Ferati nga Baksi.

Në anën tjetër ushtari i UÇK-së, Zeqir Rexhepi ktheu kokën nga i vëllau Beqiri, i cili i shpejtë si era i rreptë e i furishëm si vetëtima, ia parafytyronte Oso Kukën. Nga ky aksion luftarak trimëror i ushtarëve të UÇK-së, në rrugë pa kthim, shkuan në ferr të gjithë çetnikët e atij invadimi të urdhëruar nga Serbia. Njëherit më asgjësimin e këtyre policëve është bashkangjitur grupit edhe Naser Gjeli me pushkë M-48 dhe ka gjuajtur mbi polic.

Në kontrollim e sipër të “Nives” së dytë se mos ka mbetur dikush gjallë nga policët serb dhe për t’ia marrur armatimin policeve të vrarë, një polic që kishte mbetur i plagosur nga niva e parë ka shtënë në drejtim të këtij grupi dhe ka qëlluar për vdekje Rexhep Ajet Rexhepin.
Lufta filloi edhe më e përgjakshme me bandat tjera serbe që vinin në këtë fushëbetejë.  Pasi Rexhep Rexhepin, në këtë betejë e kishte marrë pushka në vend të ndjeshëm, dy nipat Beqiri e Zeqiri dhe Xhemë Kodra i afrohen për ndihmë, ia marrin armën. Ia heqin maskën Rexhepit, duke i hequr njëkohësisht edhe maskat e veta. Nga ai çast, në Drenicë u hoqën maskat nga përdorimi. Duke theksuar se këtu ‘për herë të parë nga trimat e UÇK-së, u çarmatosen  kriminelet e Serbisë’. Në ato çaste kritike, Rexhepi ua la porosinë nipërve: “Mos t’i lëshoni armët deri në vdekje! Të gjallë shkaut në dorë mos t’i bini!”. Para frymëmarrjes së fundit, Rexhepi iu drejtohet nipërve – Bashkëluftëtarë: “Të fala mi bëni vëllait – Brahimit që të mos pikëllohet për mua se që 60 vjet këtë ditë e kam pritur! “. Porsa Beqiri, Zeqiri dhe Xhema, bashkëluftëtarin qe ndërroj jetë e strehojnë në Familjen Ahmeti. Atij i pushon së rrahuri zemra pak minuta më pas.

Pra gjatë luftimeve ballë për ballë bie në altarin e atdheut, Rexhep Ajet Rexhepi, ndërsa Beqir Rexhepi do të luftojë edhe disa orë më vonë kundër forcave serbe edhe në Çirez.
Rexhepi Ajet Rexhepi është dëshmori i parë që ka rënë në vijën e parë të luftës në zonën e Drenicës me armë në dorë në fshatin Likoshan,  të ditës së shtunë më datën 28 shkurt 1998, ndërsa më armën e tij e vazhdojë luftën i biri Ahmeti deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
Lufta vazhdon më rreptësinë e saj.  Beqiri i qëlloj për vdekje edhe disa çetnikë të Serbisë. Pas çdo shkrepje të automatikut të tij më të cilin kishte në shënjestër të saktë grupet e bandave gjakpirëse, kanibalë të Serbisë, jehonte zëri i këndshëm, burrëror e heroik i trimit të UÇK-së me nga një varg të këngës karakteristike të tij, të krijuar aty për aty – në flakën e pushkës çlirimtare, në fushën e nderit.

Beogradi urdhëroi dhe dërgoi forca të reja në Likoshan  e Çirez, Beqiri, duke luftuar lugut të Vegshit përpjetë, në breg të tij takoi dy djem të paarmatosur nga fshati Likoshan, Sylë Hasani dhe Sami Hasani të cilët i strehoi në shtallën e Sheremet Sejdiut dhe ata sot janë gjallë. Sipas dëshmisë së këtyre dy personave kanë arritur forca shumë të mëdha policore dhe ushtarake me autoblinda, tanke, edhe dy helikopter të tjerë. Pasi që lufta vazhdonte pa ndërprerë nga ajri dhe toka, Beqirit iu desht shumë herë të ndërronte pozicionin e luftës pasi që ishte i vetmi luftëtar që bënte rezistencë makinerisë policore dhe ushtarake serbe.
Beteja s’kishte të ndalur, nëntë orë e gjysmë, luftë e rreptë, autoblinda Beqës iu kishte afruar duke kërkuar dorëzimin e tij. Ai kurrsesi nuk dorëzohet, por ua hedh bombën, prej nga e paaftësoi autoblindën, ku shumë ushtarë armiq u vranë dhe u plagosën.
Aty kah mbrëmja, Ushtria serbe, me helikopter ushtarak i merrte të plagosurit serb dhe i qonte në drejtim të Prishtinës. Pasi morën të plagosurit, vazhdoi lufta kundër dy helikopterëve dhe forcave të këmbësorisë serbe, të cilët e rrethuan Beqirin. Aty mbetën të vrarë dhe shumë të plagosur, kështu në mbrëmje Beqën e qëllojnë plumbat e armikut por ata nuk kishin arritur t’i afroheshin luftëtarit të lirisë dhe nuk besonin se Beqa heroikisht kishte rënë në fushën e nderit.

Në këtë Betejë të pabarabartë më forcat serbe, ranë 4 dëshmorë dhe 20 martirë.
Varrimi i tyre është bërë me 3 mars 1998, edhe pse në një rrethim të hekurt nga policia dhe ushtria serbe në këtë varrim kishte qindra mijëra pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare.
Vepra dhe heroizmi i dëshmorëve të Çirezit të rënë më 28 shkurt të vitit 1998 dhe i të gjithë martirëve, është përjetësuar me ngritjen e Kompleksit Memorial në lagjen Rexhepi të Çirezit.
 Dëshmorët dhe martirët e rënë në Betejën e Likoshanit dhe Çirezit me 28.02.1998 janë:

1. Rexhep Rexhepi2. Beqir Rexhepi3. Muhamet Gjeli4. Naser Gjeli5. Ahmet Ahmeti6. Gani Ahmeti7. Elmi Ahmeti8. Hamz Ahmeti9. Driton Ahmeti10. Naim Ahmeti11. Lumni Ahmeti12. Shemsi Ahmeti13. Basri Ahmeti14. Elhami Ahmeti15. Behram Fazliu16. Xhemshir Nebihu17. Ilir Nebihu18. Rukie Nebihu19. Beqir Sejdiu20. Bedri Sejdiu21. Nazmi Sejdiu22. Bekim Sejdiu23. Ibish Rama24. Smail Behrami

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart