PAN-i tregon se kur merr pjesë në seancë


10/08/2017

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë të enjten për Express se do të bëhen pjesë e seancës vetëm sipas atyre kushteve që i kanë bërë tashmë të ditura.

Deputetë të koalicionit PAN kanë kërkuar ditën e djeshme që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ dhe vetëm atëherë edhe të caktohet seanca.

Për këtë zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se qëndrimi i tyre është dhënë dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo.

“… Dje e kemi thënë qëndrimin tonë dhe asgjë nuk ka ndryshuar që nga dje”, është shprehur Hoxhaj për Express.

Seanca e thirrur për sot, e cila filloi në orën 10:00, zgjati vetëm pak minuta, pasi PAN-i e ka bojkotuar pjesëmarrjen e tyre me arsyetimin se vendimi për mbajtjen e seancës është bërë njëanshëm.

Nga ana tjetër, zyrtarë të LAA-së i kanë bërë thirrje koalicionit PAN që të bëhen pjesë e seancës duke e propozuar edhe kandidatin e tyre për kryeparlamentar. Vetëvendosje ka kërkuar nga PAN-i që të nxjerrë në votim një kandidat për kryeparlamentar, por ai të mos jetë Kadri Veseli.

Pas përmbylljes së seancës se sotme, kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, tha se do të bëhet e ditur edhe data tjetër për mbajtjen e seancës së radhës. /D.K /GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart