Kthehu lart

"Tirana po shndërrohet në “lavatriçe” të pastrimit të parave nga Rama-Veliaj"

"Tirana po shndërrohet në “lavatriçe” të pastrimit të parave nga Rama-Veliaj" GazetaExpress

Për zëdhënësen e Partisë Demokratike Ina Zhupa, Tirana është shndërruar në një “lavatriçe të patrimit të parave”.

E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çiku, zëdhenësja e PD-së Zhupa thotë se pjesë e kësaj skeme të pastrimit të parave është edhe projekti për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, bashkë me 6 kulla.

Sipas saj, dyshja Rama-Veliaj po pastrojnë paratë e përfituar në rrugë kriminale siç është trafiku i drogës. Për Zhupën, kjo vihet re tek fakti se nga viti në vit nuk ka asnjë rritje të marrjes së kredive nga bizneset, dhe se as këto biznese nuk reflektojnë rritje të të ardhurave të tyre, që të mund më pas t’i investojnë në ndërtime në Tiranë.

Kjo, thekson Zhupa, ngre hije të forta dyshimi se nga po vijnë gjithë këto para që po investohen në projekte e kulla në qendër të kryeqytetit.

Zëdhënësja e PD-së thotë se projektet e Veliajt dhe Ramës, jo vetëm po përdoren për të pastruar paratë, por shton se edhe Tirana po humbet identitetin e saj me shembjen e një sërë ndërtesash, siç është rasti i Teatrit Kombëtar.

Sa i përket situatës brenda PD-së, Zhupa nënvizon se që nga humbja e zgjedhjeve në qershorin e 2017, tashmë situata brenda selisë blu ka ndryshuar duke mësuar nga gabimet që i shkaktuan rezultatin e vitit të kaluar./gsh


    Data: 12 Korrik 2018 21:17
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera