Kthehu lart

Tekset falas për nxënësit, por me “kusht” qeverie: Kush i dëmton i paguan

Tekset falas për nxënësit, por me “kusht” qeverie: Kush i dëmton i paguan GazetaExpress

Në tetor të vitit 2017, grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në Kuvend projektligjin që parashikonte tekste falas për nxënësit e klasave të para deri tek e nënta, me arsyetimin se kjo ndihmë do të zbusë fenomenin e braktisjes shkollore dhe pamundësinë ekonomike të familjeve shqiptare.

Por, megjithëse një projektligj me interes të lartë publik, 9 muaj më vonë Qeveria miratoi dhënien e teksteve falas për vetëm 4 klasa.

Janë rreth 125 mijë nxënës. Tekstet, nxënësit do t’i marrin falas, paguhen 100% nga buxheti i shtetit. Në buxhetin e Ministrisë së Arsimit është parashikuar që 610 milionë lekë janë pikërisht për tekstet falas të fëmijëve të klasës së parë deri në klasën e katërt dhe të kategorive të veçanta që përfitojnë tekste falas në arsimin parauniversitar. Ata do t’i marrin tekstet në shkollat e tyre para se të fillojë viti shkollor, para datës 17 shtator”, tha Zamira Gjini, drejtore e Arsimit Parauniversitar, MASR.

Megjithëse një argument jo shumë bindës, Ministria e Arsimit thotë se ka një arsye se përse nuk ofrohen tekste falas për të gjithë nxënësit e ciklit 9-vjeçar.

“Klasat që nuk kanë filluar kurrikulën e re, momentalisht punojnë me tekste të vjetra. Kur të implementohet kurrikula e re edhe për këto klasa, atëherë do të kemi edhe politikën e Ministrisë së Arsimit për t’i dhënë falas këto tekste”, tha më tej Zamira Gjini.

Por, tekstet falas për 125 mijë nxënësit do të ofrohen me kusht.

Tekste në përdorim falas, që do të thotë se nxënësit do t’i kenë tekstet në përdorim, vetëm tekstet dhe jo fletoret e punës. Në fund të vitit shkollor, drejtorët e shkollave dhe komisionet që do të ngrihen pranë tyre do të bëjnë vlerësimin e teksteve që janë përdorur. Nëse ata nuk e dorëzojnë tekstin, ose e kanë keqpërdorur, atëherë do ta paguajnë tekstin sipas çmimit që është në katalogun e teksteve shkollore”, sqaroi Zamira Gjini.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, tekste falas për këtë vit shkollor do të përfitojnë në total 190 mijë nxënës, pasi krahas atyre për klasat e para deri tek e katërta, do të vazhdojnë të marrin tekste falas edhe kategoritë në nevojë./tch

    Data: 12 Korrik 2018 19:47
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera