Kthehu lart

Të martën Kurban Bajrami, ja kur falet namazi në "Skënderbej". Uron Bruçaj

Të martën Kurban Bajrami, ja kur falet namazi në "Skënderbej". Uron Bruçaj GazetaExpress

Besimtarët myslimanë kremtojnë këtë të martë festën e Kurban Bajramit.

Në një njoftim për mediat, Komuniteti Mysliman bën të ditur se namazi do të falet në orën 07:00 në Sheshin Skënderbej.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit do të zhvillohet një ceremoni me lexim kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.

Gjithashtu me rastin e Kurban Bajramit kreu i KMSH ka bërë një urim për të gjithë besimtarët.

Urimi i kreut të KMSH, Skënder Bruçaj
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj, të uroj besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen:

GËZUAR FESTËN E KURBAN BAJRAMIT!

Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, Krijuesit të Gjithësisë. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me te afermit, me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonise, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes  dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit.

Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është nje shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të pa numërta. Njeriu arrogant, hipokrit i cili ka hequr, dashurinë, mëshirën nga zemra e tij mund të kthehet në një egërsirë e cila mund t’i shkaktojë shumë plagë shoqërisë.

 Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje.

Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.

Në një ajet Kur’anor thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj...” (El-Haxh:37), pra, kjo mirësi që nuk ka për qëllim thjesht shpërndarjen e mishit te kurbanit, por synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.  

Qoftë kjo ditë për Shqipërinë dhe Shqiptarët ditë feste, gëzimi e bashkëpunimi!
Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!

Paqja dhe bekimi i Zotit qofte me të gjithë Shqiptarët ku do që ndodhen!

    Data: 20 Gusht 2018 12:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera